Menu

Flet trajneri i Partizanit

“Flamuri ynë digjet, s’dënohen! Te ne, po…”

02.11.2018

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Kamzën, që do të luhet nesër, pa praninë e tifozëve. Ai ka folur mbi situatën në kampin e kuq, pas disfatës me Skënderbeun dhe humbjen e vendit të parë në klasifikim.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

A i druheni një efekti psikologjik nga humbja e fundit me Skënderbeun për ndeshjen e radhës me Kamzën?

Absolutisht jo! Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e parë, në fazën e parë, në Korçë. E humbëm atë ndeshje në minutën e 92-të dhe gjetëm forcat për të reaguar dhe mbajtur vendin e parë në klasifikim deri javën e kaluar.

Gjithsesi, jemi po aty, një pikë mbrapa. E kemi analizuar humbjen në çdo gjë, me detaje. I dimë gabimet tona, e dimë edhe pse humbëm. Kemi potencial për t’u ngritur e të shkojmë aty ku e meritojmë.

Si është gjendja e lojtarëve pas Skënderbeut?

Pas një humbjeje, e cila erdhi kundër dëshirës, vullnetit dhe pikësynimeve tona, është normale të mos kemi humor të mirë. Nuk kemi qenë të kënaqur dhe të lumtur mbas ndeshjes me Skënderbeun, por ai që është profesionist e di se një humbje, apo barazim, pas shtatë fitoresh radhazi, edhe mund të ndodhë.

Humbja me Skënderbeun djeg, por nuk e kemi bërë dramë. E kemi ndjerë përgjegjësinë dhe keqardhjen. Do të vazhdojmë përpara, duke menduar nga ndeshja e radhës.

A keni parë reagim të skuadrës në stërvitje gjatë kësaj jave, pas humbjes me rivalin direkt për titull?

Eshtë një humbje, si ndaj cilitdo kundërshtari. Personalisht, nuk e quaj dramë, sepse kemi humbur vetëm një ndeshje. Me djemtë kam folur edhe mbas ndeshjes, direkt, kur shkuam të përshëndesim tifozët tanë. Duhet të ngremë kokën, nuk duhet të ndihemi të turpëruar.

Humbëm një ndeshje me një kundërshtar, që vetëm dy herë e goditi portën tonë. Në minutën e 54-t u bë gjuajtja e parë e Skënderbeut në portën tonë, ndërsa në minutën e 63-të e dyta, prej nga erdhi edhe goli. Teknikisht nuk e kemi humbur besimin. Kemi bagazhin dhe forcën për të reaguar e treguar se sa vlejmë si skuadër.

partizani skenderbeu
partizani skenderbeu

Sa herë dilni në konferencë për shtyp, nuk jeni vetëm, por me një futbollist në krah. A do të thotë kjo, se ky futbollist do të jetë titullar?

Që kur kam ardhur, ditën e parë si trajner te Partizani, kam futur idetë dhe filozofitë e mia të reja. Njëra ndër të cilat është edhe kjo, shoqërimi me një futbollist në konferencat për shtyp. Kam qejf që të gjithë të trajtohen njëlloj, të gjithë të ndihen njëlloj.

Qoftë në fushë, qoftë në konferencë, secili ka radhën e vet. Mbase në të ardhmen mund të ndryshojmë edhe situatën e kapitenit. Pse jo, secili lojtar të bëhet një ndeshje kapiten, ta ndiejë përgjegjësinë e fanellës. Shpesheherë, shumë veta luftojnë për një qëllim, por asnjëherë nuk u jepet mundësia.

Ardhja e Kotes në konferencë për shtyp është prezantim dhe shtytje për të. Eshtë praktikë e jona. Çdo lojtar i skuadrës sonë do ta ketë këtë mundësi, për t’u prezantuar vetë para mediave. Edhe këtu ka radhë, ndaj nuk duhet të ngutemi dhe të mërzitemi. Kemi 36 ndeshje dhe 25 lojtarë. Mbase dikujt do t’i jepet mundësia dy herë për të dalë në konferencë për shtyp.

Mensah dhe Hebaj nuk po shënojnë. A po bëni një punë specifike me ta?

Njerëzit, ose opinioni, cakton se kush duhet t’i bëjë golat. Në fakt, unë jam përpjekur që për golin të luajë e gjithë skuadra. Mënyra se si luajmë synon krijimin e mundësive për të shënuar të gjithë, jo vetëm dy, ose tre lojtarë.

Kemi parë videon e ndeshjes së fundit, ku një pjesë e madhe e skuadrës sonë ishte afër portës kundërshtare, afër shënimit të golit. Po punohet, Hebaj dhe Mensah po mundohen ta bëjnë punën e tyre sa më mirë. Mensah ka shënuar, ndaj ka pasur mundësi më të shumta aktivizimi.

Unë e kam thënë se asnjë nuk mund të shënojë gol i vetëm, pa ndihmën e skuadrës. Megjithatë, nuk e shoh si problemin kryesor të këtyre dy sulmuesve tanë. E shoh si problem të gjithë skuadrës. Jemi skuadra e dytë, ose e barabartë me Skënderbeun, për golat e shënuar.

skender Gega dhe Kote
skender Gega dhe Kote

A kaluan problemet me Trashin dhe a do të luajë që nga minuta e parë ndaj Kamzës?

E thashë edhe përpara ndeshjes me Skënderbeun se Trashi nuk është larguar. Nuk ka rikthim për të, sepse është në skuadër. Mori një masë disiplinore. Ka mënyrat e veta klubi se si mund të ndëshkohet një çështje disiplinore. Personalisht, Trashin e kam konisderuar gjithmonë si krahun e djathtë, sepse është një lider.

Për mua është mbyllur çdo gjë. Trashi është pjesë e skuadrës, është kthyer në stërvitje dhe është gati për të luajtur. Shpresoj që kësi gjërash të mos përsëriten, por të shikojmë përpara me optimizëm.

Keni aktivizuar pothuajse krejt lojtarët që keni në dispozicion. A ka ndonjë prej tyre, që duhet t’ua dijë juve për nder këtë gjë?

Asnjëri nuk duhet të ma dijë për nder. Nuk kam ardhur këtu për të bërë ndere. Janë edhe 26 ndeshje, pa ato të Kupës së Shqipërisë. Çdo njeri do ta ketë shansin për të luajtur e treguar veten më tepër se një herë. Eshtë shumë e rëndësishme ta kuptojnë të gjithë se nuk mund ta kesh përherë shansin, nëse nuk e justifikon.

Po e more shansin, duhet ta shfrytëzosh, sepse i dyti apo i treti nuk dihet se kur të vjen. Unë jam këtu për një qëllim më të madh se sa impenjimi karshi dy vetëve. Eshtë grupi dhe klubi mbi gjithçka.

Deri tani jam jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe ndihem krenar për djemtë, për çdo gjë që është bërë. Nëse dikush ka pasur diçka, jam munduar ta sqaroj gjatë dhe pas ndeshjes. Jemi bashkë edhe kur humbasim, edhe kur fitojmë.

Partizani
Partizani

Me rikthimin e Trashit dfhe mungesën e Hilës, a priten ndryshime në formacion?

Patjetër, ne kemi 25 lojtarë. Zakonisht, ju gazetarët i keni sot aftësitë e duhura për të kuptuar që në stërvitje se si dhe me kë do të luajmë. Nuk kemi gjë sekrete, nuk bëjmë stërvitje në salla të mbyllura. Afërsisht dihen gjërat. Do ta mendojmë jashtëzakonisht mirë se si do ta modifikojmë formacionin dhe do të vendosim para ndeshjes me Kamzën.

A prisni një cikël tjetër fitoresh radhazi, si pas humbjes së parë ndaj Skënderbeut, në Korçë?

Patjetër, është momenti për të reaguar. Me Kamzën nuk kemi rrugë tjetër, veç fitores. Jemi përgatitur maksimalisht, ndaj nesër do t’i shkrijmë të gjitha energjitë që kemi për të marrë tri pikët. Shkojmë për fitore, nuk ka sekret.

Do të luani pa tifozë, sa e vështirë është për ju?

Jam pjesë e klubit dhe më vjen keq për dënimin e tifozërisë sonë. Eshtë dënuar jo një grup, por një tifozëri e tërë, edhe një person që e ka pasur në plan të vijë në stadium me familjen, me vëllain, motrën etj.

E shoh të paarsyeshme të dënohet një tifozëri e tërë për dy-tre veta. Eshtë një humbje e madhe. Tifozët konisderohen lojtari i 12-të, por kjo peshon jashtëzakonisht shumë te Partizani. Sapo dalim në fushë, gjëja e parë shikojmë ku janë tifozët tanë, gjëja më e rëndësishme.

banderola
banderola

Perceptimet janë të ndryshme, unë nuk mund të ndërhyj. Institucionet tona janë inferiore, ulin kokën para fqinjëve tanë. Ju jeni gazetarë, e dini se çfarë ndodh nëpër stadiumet e Ballkanit, si digjen flamujt tanë, si ofendohemi si shqiptarë, por nuk kam dëgjuar se është dënuar ndonjë fushë.

Kam parasysh Greqinë, Serbinë apo ndonjë vend tjetër. Unë them se dënimi i tifozërisë ishte gabim, sepse na kanë hequr një pjesë shumë të rëndësishme të garancisë për sukses.

Pas humbjes me Skënderbeun, Alban Hoxha u shpreh se Partizani ka nevojë për një sulmues…

E pashë intervistën e Albanit, fola me të një ditë pas. Ai është kapiteni dhe i takon të ketë perceptimin e vet. Nuk i takon asnjë sportisti tjetër të thotë se ku është pika jonë e dobët dhe çfarë duhet të bëjmë. Eshtë klubi, është projekti që ne kemi, që e ka në thelb këtë.

Gjithmonë bisedojmë, por megjithatë ai e ka parë në prizmin e vet. Dëshira e tij për të shënuar, por jo pësuar, është e madhe, sepse është portier. Patjetër që kemi nevojë në të gjitha pikat për t’u përforcuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kategoria Superiore, java 10

Skënderbeu thyen Partizanin, i merr kreun