MENU
klinika

Dokumenti i Parë në Shqip

“Formula e Pagëzimit”, dëshmia 556 vjeçare e shqipes së shkruar

08.11.2018 - 18:05

Në kohën e tij, Gjergj Kastrioti pati një ndër bashkëpuntorët më të afërt Imzot Palë Ëngjëllin, pinjoll i familjes së Ëngjëllorëve të Drishtit, emri i të cilit lakohej në Vatikan si i pari Kardinal shqiptar, ndonëse ai nuk u bë asnjëherë pasi Papa që u nis t’i jepte titullin atij dhe të kurorëzonte Gjergj Kastriotin, vdiq para se të mbërrinte në trojet arbërore.

Kur në fillim të vitit 1462 Imzot Engjëlli filloi vizitën baritore në arkidioqezën e tij, vizitoi manastire, kisha dhe kuvende rregulltarësh dhe u ndal veçanërisht në Mat. Pas vizitës, më 8 nëntor 1462 mbledh të parin kuvend kishtar shqiptar të atij shekulli i cili në histori njihet edhe si “Kuvendi i Matit”.

Dokumentet e këtij kuvendi si të pranishmit, diskutimet dhe vendimet u shkruajtën në latinisht nga vetë Imzot Engjëlli dhe u përmblodhën në një regjistër prej 37 fletësh pergamenë me përmasa të vogla të cilat u lidhën nën titullin “Konstitucionet”. Origjinali humbi, por disa kopje të disa prej atyre dokumenteve ruhen akoma edhe sot.

Në këto faqe të kopjuara gjendet edhe dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe i njohur gjer më sot, i cili quhet “Formula e Pagëzimit”, shoqëruar me udhëzimet përkatëse në latinisht se si duhet të kryhet riti i pagëzimit. Dokumenti kishte si qëllim t’i vinte në ndihmë  atyre prindërve që gjendeshin larg kishave dhe ishin të detyruar t’i pagëzonin vetë fëmijët e tyre.

Regjistri u zbulua për herë të parë në vitin 1915 nga historiani rumun Nicolae Jorga dhe sot gjendet në Bibliotekën Laurentiane në Firenze.

Në shqip, teksti i “Formulës” është:

Unë të paghesont premnit Atit et Birit et Spertit senit

Nisur nga kjo shohim se dokumenti i parë i gjuhës shqipe është një fjali e vetme e përbërë prej 13 fjalësh (të dala nga teksti i transkriptuar) shënuese e shërbyese. Sa i takon gjuhës, ajo i përket të folmeve të dialektit të veriut të Shqipërisë.

Ky dokument dëshmon ekzistencën e një tradite të shkruar qysh prej gjashtë shekujsh dhe se shqiptarët gjithnjë Zoti i ka kuptuar kur kanë folur shqip.

/Andreas Dushi

Nga Athina në Rumani e kthimi në atdhe

Jeta e trazuar e Lasgush Poradecit!

Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Nis Panairi i Librit 2024

Puna dhe veprat që ai i la pas shoqërisë shqiptare

37 vite nga ikja e Lasgush Poradecit!