Përpjekjet e Kinës për investime në Europën Lindore, po shihen nga këto vende si premtime të dështuara. Grupi i ashtuquajtur “16+1” u themelua nga Kina me qëllim rritjen e prezencës në Europën Lindore. Vendet anëtare, që përfshihet 11 shtete të Bashkimit Europian, nga Polonia e deri te Hungaria dhe Estonia, plus 5 vende të Ballkanit përfshirë Shqipërinë, e panë forumin vjetor si një mënyrë për të tërhequr investime kineze në infrastrukturë, si rrugët dhe rrjete hekurudhore, për të nxitur ekonomitë e tyre.
Megjithatë, shumë prej këtyre shteteve janë të zhgënjyera me mungesën e investimeve nga Kina. Vendet anëtare janë gjithashtu të pakënaqura me preferencën e Pekinit për të ofruar kredi dhe jo para “cash” dhe kanë bërë të ditur se ka mundësi më të mira brenda kuadrit të Bashkimit Europian, nëpërmjet Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Disa prej këtyre projekteve që janë materializuar me ndihmën kineze, kanë tërhequr gjithashtu kritika. Kostot për zhvillimin e një autostrade në Mal të Zi, kanë bërë që qendra në Uashington për Zhvillim Global ta etiketojë vendin si në rrezik të madh të borxhit. Tenderi për një hekurudhë ende të papërfunduar mes Budapestit dhe Beogradit, ka nxitur një hetim nga Komisioni Europian.
Sipas analistëve, shqetësimet ndaj skemës kanë nisur prej disa kohësh. Kushtet e bashkëngjitura me projektet shihen nga vendet anëtare të “16+1” të ngjashme me ato të ofruara ndaj shteteve afrikane dhe disa vende e kanë marrë për ofendim. Paketa nuk duket më aq tërheqëse sa Kina e mendonte.
Lidhjet tregtare dhe të investimeve mes Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore janë përmirësuar në dekadën e fundit, megjithatë, sipas analistëve, nuk janë arritur ende vlerat e deklaruara dhe disa vende janë zhgënjyer. “Rrjeti 16+1” ka qenë kontradiktor që nga momenti i zanafillës në vitin 2012.