MENU

Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Fushata në Maqedoni/ Të quhemi Shqiptarë dhe jo ‘bashkësi etnike’

05.11.2018 - 14:46

Shqiptarët e Maqedonisë kanë nisur një fushatë që është përhapur nëpër rrjete sociale, me qëllim për të ndërgjegjësuar politikanët që shqiptarët të njihen si shtet-formues, teksa vendi po punon për ndryshimet kushtetuese, në bazë të Marrëveshjes së Prespës. 

Në qendër të fushatës “Don’t you call 20% me, I’m Albanian” (Mos më quaj 20%, unë jam shqiptar), janë kërkesat për partitë politike që të japin kontributin e tyre dhe që përmes amendamenteve kushtetuese të propozojnë në Parlament ndryshimin në kushtetutë të emërtimit “bashkësia etnike mbi 20%”, të cilin e quajnë term fyes, dhe zëvëndësimin e këtij termi me emërtesën “shqiptarët”.

Fushata në Facebook gjithashtu synon edhe në zëvendësimin në pjesët ku thuhet “gjuha e bashkësisë etnike mbi 20%” dhe në vend të saj të jetë “gjuha shqipe”.

Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj fushate, para se të jetë politike është humane. Është nismë qytetare, që ka për qëllim sensibilizimin e opinionit, brenda dhe jashtë vendit, rreth një çështjeje shumë të ndjeshme që po i mundon shqiptarët e Maqedonisë.

Ne besojmë se fuqia e sovranit është pakufizuar, prandaj nëpërmes kësaj fushate dhe përkrahjes së madhe që po gjejmë tek Ju, do të arrijmë të bëjmë presionin e nevojshëm ndaj atyre që bëjnë politikën vendore dhe na përfaqësojnë në institucionet e shtetit. Të bëjmë presionin e nevojshëm që çështja që kaq vite me radhë na mundon dhe nënçmon, të zgjidhet njëherë e mirë”, thonë ata.

Mesazhet tona do të dërgohen edhe përfaqësuesve të shteteve tjera të akredituara në Maqedoni, sidomos atyre më me ndikim në politikën vendore, SHBA dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, që të binden në kërkesën e popullit shqiptar të Maqedonisë u shprehën shprehen organizatorët.

Tani që është hapur procedura për ndryshimet kushtetuese dhe po pritet nga qeveria që të dorëzojë propozim amandamentet, që duhet të diskutohen dhe votohen, ne e cilësojmë si momentin e duhur për ta zgjidhur çështjen tonë dhe të fillojmë të ndërtojmë një shtet me shoqëri të barabartë. Duam diçka shumë të thjeshtë dhe thelbësore”, janë shprehur organizatorët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN