MENU
klinika

I heqin rolin

Gjatësia “djeg” Tom Cruise

15.11.2018 - 14:08

Tom Cruise nuk do të jetë protagonist në serinë e filmave “Jack Reacher” pasi aktori konsiderohet shumë i shkurtër për këtë rol.

Këtë e konfirmon autori i librave ku bazohen filmat e Hollywood, Lee Child, sipas të cilit Cruise, gjatë 170 cm, nuk i përmbush standardet e personazhit të tij. Gjatë 23 romanëve që Child ka shkruar me këtë personazh, Reacher përshkruhet si 195 cm, me duart të mëdha sa një pjatë.

Child tha për BBC se pas dy filmave të luajtur deri tani, adhuruesit e personazhit janë ankuar se Cruise ishte njeriu i gabuar për këtë rol. “Më ka pëlqyer shumë të punoj me Tom Cruise, është një njeri shumë i mirë. Por lexuesit kanë të drejtë. Shtati i Jack Reacher është vërtet i rëndësishëm dhe është pjesë kryesore e personazhit”, tha Child.

“Ideja është që kur ai futet në dhomë të bën përshtypje vetëm duke e parë. Dhe Cruise, pavarësisht talentit që ka, thjesht nuk e ka këtë të dhënë fizike. Kështu që nuk do të bëjmë më filma me të. Do të bashkohemi me Netflix ose një kompani tjetër dhe do të zgjedhim një aktor krejtësisht të ri. Kështu që të gjithë lexuesit që kishin ankesa për Cruise të na ndihmojnë duke sugjeruar emrin e aktorit për serialin televiziv”.