MENU
klinika

Mbarështimi i Gjelit të Egër

Projekti evropian për mbrojtjen e specieve në zhdukje

19.11.2018 - 17:31

Një mori shoqatash dhe agjensish shtetërore janë angazhuar në një projekt evropian për mbarështimin e gjelit të egër në Shqipëri, një specie e cila rrezikon zhdukjen.

Për këtë parashikohet edhe pyllëzimi i disa hektarëve tokë në zonat e mbrojtura të qarkut të Beratit.

Gjeli i Egër, një prej specieve të rralla të faunës së egër në Shqipëri pasi rrezikoi zhdukjen, është rishfaqur në Parkun Kombëtar të Tomorit në Berat.

Ndaj një sërë shoqatash dhe agjensish shtetërore janë bërë bashkë në një projekt europian për të përmirësuar habitatin e tij natyror në favor të shumimit të species.

Në dy vitet e ardhshme, parashikohet pyllëzimi i një sipërfaqeje prej 20 hektarësh në zonat e mbrojtura Tomor, Dardhë dhe Kapinov të Beratit, e njohur ndryshe si “shtëpia” natyrore e Gjelit të Egër.

Holta Copani, menaxhere dhe koordinatore e projektit për ruajtjen e Gjelit të Egër, u shpreh se fushata ndërgjegjësuese do të bëhet në bashkëpunim më pushtetit lokal.

Holta Copani: ‘Fushata ndërgjegjësuese do të bëhet me pushtetin lokal që të rritet ndërgjegjësimi për këtë specie, mënyrën sesi të mbrohet, mënyrën sesi të mos e dëmtojmë dhe mënyrën sesi ta ruajmë, duke i krijuar habitatin e përshtatshëm, kushtet e përshtatshme’.

Projekti parashikon edhe ngritjen e një infrastrukture për të vrojtuar natyrën e zonës dhe shpendin e rrallë, çka do të përkthehej në më shumë turistë në Parkun e Tomorrit.

Rol të rëndësishëm në drejtim të rigjenerimit të specieve të rrezikuara në vend, vlerësohet se ka dhënë edhe moratoriumi i gjuetisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN