MENU
klinika

“Do vendosim supervizorë ndërkombëtarë”

Gjiknuri: Ja e vërteta për kostot e rrugëve

22.11.2018 - 16:26

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, iu përgjigj të enjten akuzave për çmime marramendëse të rrugëve që do të ndërtohen nëpërmjet partneritetit publik-privat. Gjatës seancës plenare të diskutimit të buxhetit, Gjiknuri tha se me kostot po spekulohet dhe se fatura e rrugëve nxirret në bazë të standardeve dhe karakteristikave të saj.

“Kryeministri përdori me të drejtë një alegori shumë të bukur, rrugët nuk janë metrazh, që i vë metrin dhe qenkan njësoj, apo mall që e gjen në bursë sa kushton karburanti apo sa kushton 1 ton miell. Rruga është vepër arti, rruga ka karakteristikat e saj dhe veprat për të cilat flasim janë vepra të kategorisë A, aty ku janë autostradë. Do të thotë që ne nuk kemi të tilla sot që flasim asnjë që mund ti referohemi në Shqipëri. Rruga ka volume dhe ka çmime reference për të kuptuar si funksionon ky proces. Vërtet kompania private sjell projektin, pra është ajo që me iniciativën e  saj ka marrë përsipër dizenjimin e veprës. Faza e dytë është zbatimi i veprës, pra projekt zbatimi i veprës. Atje nxirren kostot reale. Në ofertë jepen vetëm çmimet maksimale, bazuar në referenca të manualit së çmimeve. Rrugët kanë një parim, kanë parametra teknikë ku thuhet ka kaq milionë metër kub beton, asfalt, kjo është sipërfaqja, kaq janë struktura metalike e të gjitha janë të matshme. Do të thotë aty anash tyre ka edhe një çmim që është çmimi i referencës që bazohet Buxheti i Shtetit i parashikuar për investime publike,” tha Gjiknuri.

Sipas tij, për të përcaktuar kosto sa më të drejta, do të kontraktojë kompani ndërkombëtare për supervizionin e veprave.

“Nuk janë çmimet, erdha unë dhe e kam ofertën këtu. Jo! Çmimet janë të caktuara. Dihet sa është kosto e asfaltit, dihet sa është kosto e bitumit, sa është e zhavorrit, sa është e tubit dhe janë të matshme, janë volume që shikohen me sy dhe maten në çdo kohë. Çdo kush mund të shkojë edhe nesër ti kontrollojë, ti vërë metrin kur thotë populli.  Sa e gjerë është rruga, çfarë strukture betoni ka, sa shtresa asfalti etj?! Vërtet mund të ketë ndodhur në Shqipëri dhe po ka një element në Shqipëri që ka çaluar shumë ka qenë supervizimi. Po pikërisht ne për ta adresuar edhe këtë merak tek rrugët me Partneritet Publik-Privat kemi bërë një gjë, do të marrim kompani inxhinierike të huaja ndërkombëtare. Ai është arbitri i vetëm që përcakton sa asfalt është hedhur, sa është trupi i rrugës, a është brenda parametrave dhe cilësia e punimeve të cilat gjithmonë kanë një faturë mbrapa,” tha ai.

Gjiknuri këmbënguli se, edhe në variantin më konservator për buxhetin, rrugët që po kontraktohen janë të financueshme dhe nuk ka rreziqe të pamenaxhueshme për financat publike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


S’ka më projekte të reja

PPP-të marrin fund me rrugën Orikum-Dukat