MENU
klinika

Tatimi mbi pagat

Individët të mos paguajnë më shumë se bizneset

21.11.2018 - 15:48

Ndryshimet në ligjin e tatimit mbi të ardhurat në paketën fiskale që po diskutohet në kuvend kanë rikthyer debatin lidhur me tatimin e të ardhurave të individëve. Paketa fiskale rrit pragun e tatimit maksimal nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë në muaj. Megjithatë, në Komisionin e Ekonomisë u zhvillua një debat i ndezur për këtë tatim, ku një pjesë e deputetëve të Komisionit kërkuan rritjen e pragut të patatueshëm nga 300 mijë, në 40 mijë lekë në muaj.

Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, thotë se në parim të gjithë qytetarët që përfitojnë nga shërbimet publike duhet të tatohen. Megjithatë, në përvojën e vendeve të tjera, të ardhurat në vlerën e minimumit jetik, sipas tij, duhet të përjashtohen nga tatimi. Si prag alternativ, zoti Xhepa sugjeron pagën minimale, që aktualisht është 24 mijë lekë në muaj.

Ai gjithashtu mendon se pragu i sipërm i tatimit prej 23% është shumë i lartë. Në parim, pragu maksimal duhet të jetë në të njëjtin nivel me tatimin e të ardhurave korporative, që aktualisht është 15%. Përveçse më i drejtë, ky barazim do të frenonte evazionin fiskal. Vitet e fundit, shumë profesionistë shërbimesh kanë hapur shoqëri tregtare për të kanalizuar aty të ardhurat nga puna, me qëllim pagesën e një tatimi më të ulët.

Gjithashtu, ai është i mendimit se aplikimi i shkallës maksimale të tatimit për pagat që nga 150 mijë lekë godet shtresën e mesme. Zoti Xhepa është në favor të kalimit drejt një taksimi mbështetur mbi të ardhurat familjare, duke bërë efektiv deklarimin vjetor të të ardhurave.

Megjithëse ka nisur të aplikohet që nga viti 2011, plotësimi i deklaratës së të ardhurave aplikohet shumë pak dhe, për më tepër, nuk përdoret në shërbim të hartimit të politikave të reja.

Ai shprehet në favor të rikthimit të taksës së sheshtë, si një sistem që garanton më shumë drejtësi në tatimin e të ardhurave, shmang evazionin dhe e bën administrimin më të lehtë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN