Rastet e torturave të komunizmit ndaj atyre që i dolën kundër janë të shumta. Secila ngjarje përcjell një trishtim dhe tregon vuajtjet dhe masakrat që u bënë ndaj atyre njerëzve që guxuan dhe kundërshtuan sistemin diktatorial.
Të gjithë ishin viktima. Shumë prej tyre u burgosën, u torturuan dhe disa nuk dolën gjallë nga birucat ku panë tmerrin me sytë e tyre. Një raport origjinal i një efektivi të Sigurimit të Shtetit që ndodhet në muzeun e BunkArt2, tregon një tjetër histori rrëqethëse.
Bëhet fjalë për një vajzë 18 vjeçe, e cila në kulmin e rinisë përjetoi tmerre dhe vdiq e torturuar dhe e çmendur. Rasti ka të bëjë me jetën e Hatlije Tafaj. Detajet e dhunës të ushtruara mbi komunisten e re Hatlije Tafa janë përshkruar në raportin e sigurimit nga nëntoger Anastas Dushku.
Raporti i shkruar në Bunkart:
“Nga muaji prill-maj 1945, në ish-Batalionin e IV të Brigadës, ish-kuestura e vjetër, në rrugën e Barrikadave), silleshin të burgosun prej Drejtorisë së Sigurimit dhe mbaheshin në birucat të cilat i kishte krijuar që me kohë fashizmi”, shkruan efektivi, duke vijuar me tej se “Atëherë kanë sjellë aty të arrestuar dhe një shoqe, për të cilën mësova që ishte anëtare Partie. Vinin nga Drejtoria e Sigurimit çdo natë oficerë dhe e merrnin në pyetje duke e torturuar gjithë natën“.
“Kështu vazhdoi mjaft kohë dhe dukesh se kjo shoqe nuk tregonte gjë, sepse torturat vazhdonin gjithnjë”.
Më tej efektivi përshkruan torturat mizore ku disa prej të tyre përshkruhen me detaje:
“Një ditë ajo u çmend fare. Në këtë gjendje e merrnin përsëri në pyetje”; “Ishte katandisur në një gjendje që unë nuk jam në gjendje ta përshkruaj këtu në letër. Dhëmbët e para i kishte të thyera, pastaj ngaqë nuk ishte në ment, ndyhej nën vete dhe kështu ishte mbushur plot morra dhe krimba nga ndyrësira. Nuk mund t’i afroheshe nga era e qelbur që nxirrte. Me këtë pamje ajo i përngjiste një shtrige dhe jo një vajze 18-20 vjeçare. Por oficerët e Sigurimit vazhdonin ta merrnin në pyetje edhe në këtë gjendje”.
Efektivi shkruan se 18-vjeçarja Hatije Tafa vdiq me një dorë e një këmbë dhe e çmendur.