MENU
klinika

Dossier

Ja nga i importojmë mallrat kryesorë të konsumit

11.11.2018 - 14:42

Drithërat në vendin tonë janë një ndër produktet që figurojnë masivisht në listën e importeve. Në masën 88%, në 2017 ky produkt u imprtua nga dy vende; Rusia dhe Serbia që, në sytë e shqiptarëve, nuk janë vendet më miqësore.

Drithërat janë në vend të parë, me një vlerë prej 4 miliardë lekësh, gjatë vitit 2017, ose 33% e totalit të importeve nga Rusia. Pavarësisht një “ngërçi” diplomatik, duket se varësia nga drithërat ruse vazhdon të jetë një çështje jo vetëm statistikore.  Në total, Shqipëria ka importuar gjatë vitit të fundit nga të gjitha vendet e botës, 9.5 mld lekë drithëra, çka do të thotë se, Rusia zë 44.2% të totalit në vlerë monetare dhe 48.9% në terma vëllimi, duke mbuluar praktikisht gjysmën e importeve të drithërave në vendin tonë.

Në vend të dytë ndjek Serbia me 3.2 miliardë lekë importe, çka do të thotë se ky vend zë 33% të totalit të importit të drithrave në vendin tonë, pra thuajse një të tretën. Vendet e tjera që pasojnë listën kanë një peshë thuajse të papërfillshme. Për të ilustruar këtë, mjafton të themi se vendi i tretë i listës, Italia, përfaqësohet me vetëm 351 milionë lekë, ose me 3.6% të tortës së importit të drithrave në vendin tonë. Portugalia, Spanja, Maqedonia, Ukraina, Pakistani, Vietnami dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës plotësojnë listën me 10 vendet më të mëdha importuese të drithërave në vendin tonë, por me një impakt thuajse të papërfillshëm.

Serbia dhe Rusia me thuajse 90% të importit të një produkti kaq të rëndësishëm, realisht kanë në dorë shumë. Rusia, deri më tani, ka treguar se është në gjendje të kërcënojë me të tilla produkte, pasi e ka bërë më parë me gazin natyror në Europë.

Peshku nga Spanja

Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka importuar peshk dhe produkte të tjera nënujore prej 19 mijë tonelatash, ose rreth 8.1 miliardë lekë, çka përkthehet në rreth 62 milionë euro. Kjo do të thotë se, vlera mesatare e importit të këtyre produkteve nga jashtë fiksohet në rreth 3.2 euro për kilogram. Në krye të listës së importuesve të peshkut dhe produkteve të tjera të detit qëndron Spanja, me 1.6 miliardë lekë importe në 2017. Vendi i dytë është një emër surprizë, pasi bëhet fjalë për Groenlandën, me 1.1 miliardë lekë importe.

Më pas ndjek Kroacia me rreth 1 miliardë, Italia po me rreth 1 miliard, ndërkohë që pesë vendet e para i mbyll Kanadaja me 960 milionë lekë importe. Greqia, Ekuadori, Turqia, Danimarka dhe Argjentina mbyllin dhjetëshen e parë të listës së importuesve më të mëdhenj të peshkut dhe produkteve të detit në vendin tonë. Pesë vendet e para të listës, ndërkohë, mbulojnë 70% të nevojave të Shqipërisë për import të këtyre produkteve.

Lista e importuesve më të mëdhenj në terma vëlllimi është thuajse e njëjtë, me ndryshime mjaft të vogla pozicionesh. Spanja është sërish e para, e ndjekur nga Kroacia, Groenlanda që zbret në vend të tretë, ndërkohë që Italia dhe Kanadaja mbyllin pesë vendet e para. Ndjek Greqia, Ekuadori, Turqia, Norvegjia dhe Indonezia. Por, nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se, prej secilit nga këto shtete importojmë me çmime të ndryshme, në varësi edhe të llojit të produktit.

Mesatarisht, në 2017-ën, importet nga Spanja kanë kushtuar 2.6 euro për kilogram, ndërsa ato nga Groenlanda 3.8 euro për kilogram. Importet nga Kroacia  dhe Italia kanë kushtuar mesatarisht 2.9 euro për kilogram, ndërsa ato nga Kanadaja 3.6 euro kilogrami mesatarisht. Çmimi i produketve të importura nga Greqia fiksohet në 2.1 euro për kilogram, nga Ekuadori në 4.6 euro për kilogram, Turqia 4.2 euro, Indonezia 2.5 euro dhe Danimarka 3.8 euro për kilogram.

Barnat, kryeson Italia

Një tjetër produkt mjaft i rëndësishëm ndaj të cilit shqipëria ka krijuar një lloj varësie, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e pozitave të shteteve të caktuara, ëshët edhe tregu farmaceutik. Për më tepër itregu farmaceutik në tërësi në vendin tonë ëshët i varur nga importi, duke pasur parasysh prodhimin Shqipëria ka importuar ilaçe në vlerën e 24 miliardë lekëve gjatë vitit të kaluar, ose 184 milionë euro përafërsisht.

Në vend të parë të listës, me pozita të padiskutuara në krahasim me të tjerët qëndron pikërisht Italia, me 3.4 miliardë lekë, ose 26 milionë euro importe gjatë 2017-ës. Në vend të dytë ndërkohë qëndron Gjermania me 2.7 miliardë lekë importe në vendin tonë. Më pas vijon Zvicra me 2.5 miliardë lekë ilaçe të importuara në vendin tonë në një vit. Tre vendet e para janë praktikisht peshat e rënda të industrisë farmaceutike jo vetëm në Europë por edhe në nivel global, pasi zënë një pjesë të mirë të tregut global, jo vetëm në sasi por edhe në cilësi.

Tre vendet e para të listës zënë kështu pak më shumë se 1/3  e importeve në vend, ose më saktë 35.8% të totalit. Lista më pas vijon me Turqinë dhe Slloveninë, të cilat me 2.1 dhe 2 miliardë lekë respektivisht mbyllin 5-shen e parë. Në total janë plot 68 shtete të botës, nga të cilat Shqipëri ka importuar produkte farmaceutike gjatë 2017-ës.

Cigaret, e para Greqia

Një ndër produktet më të konsumuara nga shqiptarët dhe që ka një varësi të lartë nga importi është edhe duhani. Shqiptarët konsumojnë rreth 60 milionë euro duhan në vit. Të dhënat e Institutit të Statistikave i referohen vitit 2017 dhe tregojnë se importi i duhanit prekte vlerën e 7.7 miliardë lekëve. Duke pasur parasysh se kërkesën për duhan në vend e plotëson kryesisht duhani i importuar, atëherë kjo është pak a shumë edhe vlera e duhanit që konsumohet nga shqiptarët në një vit. Duhani vendas, ndërkohë, që kryesisht është artizanal, ka një vlerë nominale relativisht të ulët, duke mos ndikuar shumë në shifrën e përgjithshme.

Sa i përket vendeve nga të cilat ne importojmë duhanin dhe cigaret, në vend të parë renditet Greqia me 2.26 miliardë lekë, ose rreth 17.4 milionë euro. Në vend të dytë ndjek Polonia me 2.21 miliardë lekë. Turqia me 960 milionë lekë, Gjermania me 820 milionë lekë dhe Zvicra me 280 milionë lekë. Bosnje Hercegovina, Rumania, Ukraina, Portugalia dhe India mbyllin listën e 10 vendeve më të mëdha importuese të cigareve në vendin tonë.

Tregun e mishit e dominon Brazili

Mishi dhe të brendshmet e kafshëve janë gjithashtu një ndër produktet që kanë një varësi të lartë në tregun shqiptar nga vende të caktuara. Brazili qëndron në vend të parë të listës. Nga 5.6 miliardë lekë importe mishi në 2017-ën, 1.9 miliardë lekë u importuan vetëm nga Brazili, pra 33.9% e totalit. Vendi i dytë i listës i takon po ashtu një tjetër kontinenti, pasi shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përfaqësohen me vetëm 685 milionë lekë. Pra, Brazili e mbulon plot 2.8 herë importin e mishit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë të dytët në listë. Në vend të tretë renditet Italia, që nuk mungon në ndonëj listë importesh. Italia ka importuar mish dhe të brendshme në vlerën e 650 milionë lekëve, gjatë vitit 2017, tregojnë të dhënat e Institutit të Statistikave.

Greqia, e para për frutat

Edhe tregjet që duken më të larmishëm ofrojnë një varësi të lartë. Shembulli konkret është ai i frutave. Në vitin 2017, në Shqipëri u importuan plot 6.2 miliardë lekë fruta, nga të cilat 1.9 miliardë lekë vetëm nga Greqia, ose 30% e totalit. Në vend të dytë ndjek Ekuadori, me 1.6 miliardë lekë, ose 25.8% të totalit. Të dy vendet e para së bashku, zënë 55% të tregut të importit të frutave në vendin tonë. Italia, Kolumbia, Turqia, Meksika, Bullgaria, Maqedonia, Argjentina dhe Ukraina mbyllin listën e 10 vende të para të importuesve më të mëdhenj të frutave në vendin tonë.

Pambukun e “kontrollon” Italia

Një tjetë produkt që ndez një llampë në radarin e produkteve dhe shteteve, nga të cilat Shqipëria ka varësi, është edhe pambuku. Këtu, ligjin e bën Italia, me një varësi realisht të frikshme. Në vitin 2017 u importua pambuk në vlerën e 6.5 miliardë lekëve, nga të cilat, 4.2 miliardë lekë u importuan vetëm nga Italia, ose, 67% e totalit, pra 2/3 e tregut. Në vend të dytë ndjek Turqia me 574 milionë lekë. Tre vendet e para të listës, ndërkohë, plotësohen nga Gjermania me rreth 300 milionë lekë importe.

Makinat, dominon Gjermania

Shqipëria ka importuar, gjatë vitit të kaluar, 330 milionë euro makina. Të dhënat e tregtisë së jashtme në kategorinë e mjeteve të transportit, me përjashtim të vagonave, flasin për 43 miliardë lekë importe, ku përveç automjeteve personale përfshihen edhe mjete të tjera me vlerë nominale relativisht të lartë, si kamionë apo autobuzë, pavarësisht se zënë një pjesë të vogël të tregut. Në vend të parë të importuesve të makinave qëndron pikërisht Gjermania, me 19 miliardë lekë ose në rreth 150 milionë euro. Dominimi i Gjermanisë shpjegohet me prezencën e lartë të makinave të prodhuara nga Volkswagen dhe Mercedes Benz, modelet e të cilave janë shumë të dashura për shqiptarët, por edhe nga emigrimi i lartë i shqiptarëve si dhe kostot relativisht më të ulëta të makinave të përdorura.

Në vend të dytë ndjek Italia me 8.4 miliardë lekë, më pas Britania e Madhe me vetëm 1.6 miliardë lekë, Japonia me 1.5 miliardë lekë dhe Zvicra me 1.28 miliardë lekë. Shetet e Bashkuara, Franca, Kina, Çekia dhe Turqia mbyllin dhjetëshen e parë. Gjermania, që mban vendin e parë, zë 44% të tregut të importit, ndërkohë që 5 vendet e para të listës zënë 74% të importeve, pra ¾.

Nafta dhe nënproduktet, e para Italia

Produktet hidrokarbure dhe të gjitha derivatët e tyre janë të parat në listën e importeve në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri hynë produkte në kategorinë e lëndëve djegëse minerale prej 61.7 miliardë lekësh, çka përkthehet në rreth 470 milionë euro. Këto importe zënë 9% të totalit të importeve në vendin tonë. Por, nga vjen karburanti që konsumohet në Shqipëri? Në vend të parë të padiskutueshëm qëndron Italia me 14.8 miliardë lekë, ose  114 milionë euro në vit, sipas të dhënave që i referohen të 12 muajve të vitit të kaluar. Italia zë kështu 24% të importit të naftës në vend, ose ¼. Pas Italisë ndjek Serbia me 9.2 miliardë lekë, ose rreth 70 milionë euro në vit importe. Vendin e tretë e zë Zvicra me 7.4 miliardë lekë importe të lëndëve djegëse minerale dhe produkteve të tjera si vajra mineralë.

Pas Zvicrës ndjek Greqia me 6.6 miliardë lekë. Egjipti me 4.2 miliardë lekë mbyll 5 vendet e para të listës së eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe derivateve të saj në vendin tonë. Rusia, Mali i Zi, Spanja, Rumania dhe Algjeria mbyllin dhjetëshen e parë. Pra, siç duket mjaft qartë, pjesë e listës nuk janë vendet prodhuese të naftës, por vendet me të cilat kemi lidhje të ngushta transporti, kryesisht fqinjët. Në listën e vendeve nga të cilët ne importojmë lëndë djegëse minerale, figurojnë edhe vende si India, Singapori, Swaziland apo edhe Korea e Jugut, sa për të përmendur disa prej tyre.