Kredia për biznesin e madh nuk po e ndal rënien. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për korporatat kishte vlerën e 176 miliardë lekëve.
Krahasuar me një vit më parë, kredia për korporatat ka rënë me 7.3%, ndërkohë që është në vlerat më të ulëta që prej shtatë vjetësh. Tkurrja drastike e portofolit në këtë segment të tregut në vitet e fundit njëkohësisht rezultat i shtrëngimit të ndjeshëm të kreditimit nga bankat, por, edhe e një procesi të vazhdueshëm të pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura.
Për shkak të përqendrimit të lartë të kreditimit në segmentin e korporatave, sasitë më të mëdha të kredive problematike erdhën në këtë segment. Dështimi i korporatave të rëndësishme në ekonomi ka bërë që tashmë bankat të tregohen shumë të kujdesshme.
Kredia për biznesin e madh ka vlera më të larta dhe bankat janë konservatore në ekspozime të mëdha tek klientë të veçantë. Ngërçi i kreditimit të korporatave është ndër shkaqet kryesore pse totali i kredisë për ekonominë nuk po rritet as këtë vit.
Bizneset e vogla dhe individët iu mundësojnë bankave shpërndarjen e nevojshme të rrezikut kreditor, por, nga ana tjetër, te klientët më të vegjël është i vështirë gjenerimi i volumeve të mëdha të kredisë.