MENU
klinika

NBA

James udhëheq Lakers, 40 pikë për Harden

12.11.2018 - 11:21

Mbrëmje prej protagonisti për LeBron James, vendimtar në suksesin e ngushtë 107-106 të Los Angeles Lakers ndaj Atlanta Hawks. “Mbreti” James, që e mbylli takimin e zhvilluar në “Staples Center” me 26 pikë në total, shënoi koshin e fundit, që i dha suksesin ekipit kaifornian 15 sekonda para fundit.

Kur shkëlqen James Harden, fitojnë edhe Houston Rockets. 40 pikët, 9 asistet dhe 7 topat e kontrolluar poshtë koshit nga “Mjekroshi” i dhanë mundësinë skuadrës teksane të rikthehej te fitorja pas dy humbjeve të fundit.

Ekipi i drejtuar nga Mike D’Antoni iu imponua 115-103 Indiana Pacers, me vendësit e që e vendosën në shinat e duhura sfidën që në pjesën e parë, që e mbyllën me +20 pikë, falë një rezultati të pjesshëm në periodën e dytë 44-23.

Pas humbjes në sekondën e fundit ndaj Clippers, Milwaukee Bucks e morën menjëherë veten, duke fituar 114-121 në parketin e Denver Nuggets. Paraqitje mjaft e mirë e Brook Lopez, që tashmë është shndërruar një finalizues i besueshëm.

Nga 28 pikë në total, 24 i shënoi nga tentativat për tre. I gjithë formacioni i parë i Bucks arriti shifra të dyfishta, ndërsa për Nuggets nuk mjaftuan 25 pikët e Paul Milsap dhe 20 të Nikola Jokic.

Vjen fitorja e tretë radhazi dhe vendi i dytë në Konferencën e Perëndimit për Portland Trail Blazers, që iu imponuan 100-94 Boston Celtics. Blazers krijuan një distancë sigurie prej 17 pikësh në fund të pjesës së parë, e mjaftueshme për ta bërë të pavlefshme tentativën e Celtics për të përmbysur shifrat. Më i miri mbi parket rezultoi Jayson Tatum me 27 pikë, por që nuk rezultuan të mjaftueshme për të shmangur humbjen e Bostonit.