MENU

Detajet

‘Kaçifas’/ Ardi Veliu pret delegacionin e policisë greke

03.11.2018 - 11:50

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti një delegacion të Policisë greke.

“Gjatë takimit përfaqësuesit e dy policive shkëmbyen informacion mbi operacionin ku mbeti i vrarë shtetasi K.K,” thuhet në njoftimin e shkurtër të policisë shqiptare e cila mbyllet duke informuar se gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy policive në të ardhmen.

Ndërkohë agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, raportoi sot paradite se oficerë të policisë greke janë informuar në Tiranë prej homologëve të tyre shqiptarë mbi “pika të rëndësishme” të operacionit që çoi në vdekjen e shtetasit Kostandinos Katsifas.

Agjencia shtonte se pala greke është në pritje të raportit nga prokuroria e krimeve të rënda, “që do të duhet të përmbajë edhe provat përkatëse”.

Duke iu referua sërish burimeve diplomatike, agjencia nënvizon se “Greqia konsideron të domosdoshme përmbushjen e menjëhershme të kërkesës së familjes për marrjen e trupit dhe kryerjen e varrimit, “kërkesë që në asnjë rast nuk ndikon të drejtat proceduriale, siç ato parashikohen nga legjislacioni shqiptar”.