MENU
klinika

Barrierat tregtare

Kërkesat e prodhuesve shqiptarë ndaj qeverive

23.11.2018 - 14:52

Përfaqësues të Bashkimi të Prodhuesve Shqiptarë, Klubit të Prodhuesve të Kosovës me mbështetjen e “Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Shqiptarë”, si dhe të Odës Ekonomike të Kosovës formuluan sot disa kërkesa specifike drejtuar qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, lidhur me problematikat që sipërmarrjet kombëtare të dy shteteve hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

Kërkesat konsistojnë në problematikat dhe procedurat tarifore dhe jo-tarifore në sektorin doganor.

Prodhuesit kërkojnë heqjen e pagesës për skanerin në Republikën e Shqipërisë për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë; heqjen e pagesës për terminalet doganore në Republikën e Kosovës për të gjithë qarkullimin tregtar import-eksport, Shqipëri-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri; njohjen e certifikimeve dhe analizave fito sanitare të të gjithë produkteve që i nënshtrohen këtyre analizave dhe certifikatave; njohjen reciproke e regjistrimit te produkteve farmaceutike nga agjencitë përkatëse, për prodhuesit e Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu, prodhuesit kërkojnë përshpejtimin e procedurave doganore, në trajtimin e praktikave të qarkullimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve. Ata duan të hiqet tërësisht për prodhuesit e dy vendeve taksa prej 26 EUR vajtje/ardhje për Kamionët, pasi e njëjta paraqet pengesë në zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, si edhe heqjen e të gjitha barrierave duke përfshirë edhe akcizën. Së fundmi, prodhuesit propozojnë krijimin e Bankës Zhvillimore të Përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Në lidhje me rishikimin e kufirit të akcizës së birrës si dhe për disa çështje të tjera që prekin sektorin e konvertuesve të plastikës dhe prodhuesve të miellit, anëtarët e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës do të zhvillojnë tryeza sektoriale për të arritur kërkesa të përbashkëta në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare të dy vende.