MENU
klinika

360 kompani deri tani

Kina po “blen” Europën

07.11.2018 - 15:44

Prania kineze është shtrirë gjerësisht edhe në kontinentin europian. Sipas një analize të agjencisë mediatike në SHBA, Bloomberg, Kina ka blerë aktive europiane që arrijnë të paktën 318 miliardë dollarë, në 10 vitet e fundit. Gjatë kësaj periudhe, Europa ka pasur 45% më shumë aktivitete të lidhura me Kinën se sa Shtetet e Bashkuara.

Volumi dhe karakteristikat e këtyre investimeve, që variojnë nga infrastruktura e rëndësishme në Europën Lindore dhe Jugore e deri te kompanitë e teknologjisë së lartë në perëndim, kanë nxitur shqetësime në nivel të Bashkimit Europian. Liderë si kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë bërë thirrje për një strategji të përbashkët që të frenojnë përhapjen e shpejtë të Kinës në Europë, gjë që është përballur me kundërshti nga vendet periferike.

Sipas të dhënave mbi 678 marrëveshje korporative në 30 vende që prej vitit 2008, te të cilat kushtet financiare janë publikuar, kompanitë kineze, private dhe të mbështetura nga shteti, janë përfshirë në ujdi që arrijnë vlerën e 255 miliardë dollarëve në të gjithë kontinentin. Në këto marrëveshje, 360 kompani janë marrë në zotërim, përfshirë prodhuesin italian të gomave, Pirelli. Ndërkohë, entet kineze zotërojnë pjesërisht apo plotësisht të paktën 4 aeroporte, 6 porte detarë dhe 13 ekipe profesionste të futbollit.

Megjithatë, të dhënat e disponueshme “fshehin” përmasën e vërtetë të ambicjeve të Kinës në Europë. Sipas Bloomberg, ekzistojnë 355 shkrirje, investime apo sipërmarrje të përbashkëta, kushtet e të cilave nuk janë shpalosur. Ndër këto është edhe blerja e aksioneve në vlerën e 9 miliardë dollarëve të Dailmer, prodhuesin e Mercedes-Benz, nga kompania kineze, Geely Holding.

Duke e ndarë në kategori, firmat kineze kanë zotërime kryesisht në: skuadra futbolli, aeroporte, porte detarë, nxjerrjen e naftës, energjinë e rinovueshme, centrale bërthamore dhe prona të paluajtshme. Blerjet janë më  të dukshme në Britani, ku firmat kineze zotërojnë 7 ekipe futbolli dhe një numër të madh të pronave të paluajtshme në qendrën financiare të Londrës. Në hartën e investimeve të kompanive kineze, në kategorinë e aeroporteve është edhe Aeroporti “Nënë Tereza”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN