Sikur të mos mjaftonin mungesat e shumta nga dëmtimet apo humbja e thellë ndaj Skocisë, Kombëtares shqiptare i largohen edhe 3 lojtarë të tjerë nga grumbullimi në prag të ndeshjes miqësore së nesërme ndaj Uellsit, ora 20:00, në “Elbasan Arena”.
Kombëtarja e Shqipërisë është duke kaluar një moment jo të mirë dhe po kërkon rrugëdaljen nga ky “tunel” i errët. Këtë gjë e pranoi edhe vetë trajneri, Christian Panucci, në konferencën për shtyp, teksa kërkoi nga një “ulërimë” nga lojtarët për sfidën e nesërme me Uellsin.
Veç krizë psikologjike të shkaktuar nga rezultatet negative, Kombëtarja do të vuajë edhe 3 mungesa, për shkak të dëmtimit. Nëpërmjet një postimi, FSHF njofton se Emanuele Ndoj, Berat Gjimshiti dhe Egzon Binaku kanë lënë grumbullimin dhe nuk do të jenë të gatshëm për sfidën e nesërme.
Dëmtimet kanë detyruar këta 3 futbollistë që të rikthehen të klubet e tyre për të vijuar fazën e rikuperimit. Ndërkohë, ekipit i shtohen dy futbollistë, Elseid Hysaj dhe Migjen Basha, që ishin të skualifikuar për ndeshjen ndaj Skocisë.