MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Kontributi i Alain Carpentier në zbulimin e valvolave biologjike

07.11.2018 - 17:48

Dr. Alain Carpentier është një nga figurat më të mëdha të kardiokirurgjisë botërore i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e valvolave biologjike për zëvëndësimin e valvolave kardiake te njeriu.

Dr. Alain Carpentier vendosi të bëhej mjek pas një interventi në apendisit që ai pësoi kur ishte dhjetë vjeç, ku iu desh të qëndronte për mëse një muaj në spital për shkak të një infeksioni.

Në atë kohë antibiotikët nuk ishin në përdorim të përditshëm dhe shërimi i tij ishte shumë i gjatë duke inspiruar te ky djalosh dëshirën për të shëruar sëmundjet te njerëzit. Sot ai njihet për tre kontribute nga më madhoret në kardiokirurgji.

Ai zbuloi dhe zhvilloi shumicën e teknikave kirurgjikale që përdoren sot për të riparuar valvolën mitrale duke u njohur me emrin e teknikave të Carpentier. Ai zhvilloi një metodikë tepër praktike për të përdorur valvolat kardiake të derrit te njeriu.

U bë pionier i një teknike tjetër që u quajt kardiomioplastika (është një procedurë kirurgjikale gjatë së cilës përdoret një muskul i skeletit tonë, zakonisht një muskul i kurrizit që quhet ‘latissimus dorsi’, për të rrethuar dhe mbështjellë zemrën që është insufiçiente.

Dr. Alain Carpentier

Më pas ky muskul stimulohet në mënyrë elektrike duke u kontraktuar në mënyrë sinkrone me zemrën) e cila përdoret për trajtimin e zemrave insufiçiente.

Carpentier filloi studimet e tij mbi zëvendësimin e valvolave kardiake, pikërisht në atë kohë kur protezat valvolare kardiake mekanike sapo kishin filluar të përdoreshin. Kardiokirurgët kishin filluar të përdornin edhe valvolat kadaverike për zëvendësimin e valvolave në bazë të teknikave të Ross dhe Barratt-Boyes.

I frymëzuar nga këto hapa të një evolucioni dhe progresi gjigand, Dr. Carpentier filloi studimet mbi zëvendësimin e valvolave kardiake me valvolat biologjike, por pati probleme me një ligj francez.

Dr. Carpentier do të kujtonte në një intervistë të vitit 1999: “Mësuesi im i kirurgjisë, Dr. Charles DuBost, më tha që nëse isha i interesuar unë mund të filloja punën me homograftet sikurse edhe Barratt-Boyes dhe Ross. Unë fillova të mbledh homografte, megjithatë mu kundërvu ligji francez në bazë të të cilit nuk mund të hiqeshin pjesë nga kadavrat në 48 orët e para pas vdekjes. Sigurisht që pas 48 orësh shumica e homografteve do të rezultonin të infektuar.”

Disa muaj më pas, Dr.Carpentier filloi studimet për valvolat e tjera biologjike me origjinë nga kafshët ose siç quhen ndryshe ksenografte. Kjo e çoi në përdorimin e glutaraldehidit dhe në teknikat për zëvendësimin e të katër valvolave kardiake me ksenografte.

Këto valvola i implantoi në unaza sintetike dhe i quajti “bioproteza” një term ky që përdoret edhe sot. Në të njëjtën kohë ai zhvilloi edhe teknikat e riparimit të valvolës mitrale, që sot konsiderohet si kontributi i tij më i madh në kardiokirurgji.

Rekonstruksioni i valvolës mitrale është e kundërta e zëvendësimit. Kjo mbetet akoma një çështje e hapur nëse është më mirë rekonstruksioni apo zëvendësimi. Megjithatë këto janë dy alternativa që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

Sigurisht riparimi dhe rekonstruksioni duke ruajtur valvolën native të pacientit është procedura më e mirë, por kjo ka nevojë për kardiokirurgë tepër të kualifikuar me këto teknika si dhe mund të kryhet në valvola që nuk janë shumë të dëmtuara ose vetëm në një pjesë të sëmundjeve të valvolës mitrale.

Rezultatet janë të mrekullueshme. Kur valvola është shumë e dëmtuar atëherë zëvendësimi i saj mbetet e vetmja alternativë.

Sot, Dr.Carpentier i jep shumë rëndësi teknologjisë mjekësore, sikurse ekokardiografia para interventit e cila ka përmirësuar shumë analizën e valvolës së dëmtuar mitrale.

Ai do të shprehej: “Në vitet e para unë adoptova një strategji e cila konsistonte në faktin që unë do të riparoja valvolën mitrale në 15 minuta dhe në rast se nuk do të isha i kënaqur pas 15 minutave të tjera do ta zëvendësoja. Në mënyrë progresive numri i valvolave mitrale që unë zëvendësoja u ul në mënyrë drastike.

Sot, është shumë më ndryshe pasi e diagnostikojmë pacientin në një stad më të hershëm të sëmundjes dhe njëkohësisht kemi ekokardiografinë që na ndihmon, të cilën unë e quaj stetoskopi i shekullit të ardhshëm.”

Riparimi i valvolës mitrale ishte shumë më superior sipas mendimit të Dr. Carpentier, pasi nuk kishte nevojë për protezë duke u shprehur: “Arsyeja se pse zhvillova këto teknika në mënyrë simultane dhe pikërisht në vitet 1966-1967, ishte sepse e vetmja zgjidhje në atë kohë ishte zëvendësimi i valvolës mitrale me një valvolë mekanike.

Unë jam mërzitur shumë kur një nga pacientët e mi që ishte një piktor i mrekullueshëm u detyrua të mos vazhdonte aktivitetin e tij artistik pas zëvendësimit të valvolës mitrale.

Unë këtë e konsideroja një tragjedi të madhe dhe mendova që megjithëse protezat vaklvolare mekanike shpëtonin me mijëra jetë njerëzish, ekzistonte gjithmonë rreziku për embola (copa koagulash që shkëputen nga valvola dhe kalojnë në qarkullim) si dhe domosdoshmëria për të marrë për gjithë jetën antikoagulant për të holluar gjakun.”

Prof. Edvin Prifti

Nga eksperienca ime, unë e kam takuar disa herë Prof. Carpentier, por jam entuziasmuar shume kur jemi taktuar së bashku me Prof. Francis Fontan, kur fitova çmimin Fontan të Shoqatës Evropiane të Kirurgjisë Kardiotorakale në Montekarlo, Shtator 2002, pasi bënte pjesë në komisionin e dhënies së këtij çmimi.

Prof. Carpentier, sot është një nga mbështetësit e robotikës në kardiokirurgji.