Rajoni juglindor dhe Korça si qëndër e tij njihen tashmë për frekuentimin nga pushuesit e shumtë. Turistë vendas e të huaj, e preferojnë Korçën e rrethinat e saj për të pushuar në fundjavë dhe në raste festash.
Një numër të madh vizitorësh ka patur qyteti edhe me rastin e festave kombëtare të 28-29 nëntorit. Lokalet e ndryshme janë gjallëruar prej vizitorëve nga Tirana e të ardhur prej qyteteve të tjera.
Festimet për 28-29 nëntorin kanë zgjatur deri pas mesnate në lokalet e pazarit apo edhe në bujtinat dhe tavernat e ndryshme si në Korçë edhe në fshatrat turistikë të Voskopojës, Boboshticës e Dardhës.
Ajo që bie në sy, është tendenca e pushuesve për akomodim dhe zgjedhje të bujtinave më shumë se hotelet.
Turistët preferojnë më shumë traditat, përfshi ambjentet familjare që gjejnë në bujtina, gatimet tradicionale dhe muzikën korçare.
Ndoshta kjo e fundit me serenatat dhe interpretimet në kitara dhe mandolina duket të jetë më e pranishme në argëtimin e pushuesve gjatë qëndrimit në Korçë.
Inisiativa e bashkisë për të zhvilluar turizmin gjithë vjetor nëpërmjet aktiviteteve të vazhdueshme dhe Korça si qytet ku festohet po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë.
Ndërsa festat e fundvitit, Krishtlindja dhe Viti I Ri janë në prag, mësohet se pjesa më e madhe e bujtinave dhe hoteleve si në Korçë edhe në fshatrat turistike janë prenotuar prej kohësh nga pushuesit.