MENU
klinika

20 mln euro rënie në tetor

Kredia nuk po del dot nga kriza

27.11.2018 - 15:17

Kreditimi i ekonomisë nuk po arrin të fitojë kuotë. Pasi tremujori i tretë kishte dhënë sinjale inkurajuese, i katërti ka nisur përsëri me rënie. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë tetorit portofoli i kredisë për ekonominë ra me 2.5 miliardë lekë ose 20 milionë euro.  Sistemi bankar kishte kredi aktive në vlerën e 532.5 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, portofoli i kredisë është tkurrur me rreth 160 milionë euro.

Segmenti më problematik është pikërisht edhe ai më i madhi për nga përmasat e huadhënies: biznesi. Kredia për sipërmarrjen pësoi një rënie të mëtejshme me tre miliardë lekë gjatë muajit tetor. Krahasuar me një vit më pare, vlera e kredisë për biznesin 18 miliardë lekë më e ulët.

Vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia për biznesin vuan si nga krahu i kërkesës, ashtu edhe i ofertës. Bankat vazhdojnë të jenë konservatore, sidomos kur bëhet fjalë për ekspozime të mëdha.

Ndërkohë, edhe anketimi i kryer në gjashtëmujorin e parë të këtij viti për huamarrjen e bizneseve tregoi se kërkesa e tyre për borxh është e moderuar.

Më pozitive është situata në kreditimin e individëve. Edhe për gushtin portofoli në këtë segment u rrit me 300 milionë lekë. Në një vit, kredia për individët është rritur me 4.2% dhe ka arritur vlerën e afro 118 miliardë lekëve. Bankat kanë rritur ofertën në këtë segment, në përpjekje për të diversifikuar portofolin dhe për të ulur përqëndrimet e larta në klientë të veçantë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritet vetëm për individët

Kredia “me paterica”

Më lirë këtë vit

Ja kostot e investimit me kredi