MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Kriza e dekreteve Meta-Rama, shahu vazhdon

05.11.2018 - 19:46

Si kanë vepruar presidentët para Metës?

Zoti Berisha ka funksionuar mbi bazën e një pakete kushtetuese dhe në këtë kuptim është i pakrahasueshëm me atë që ndodhi me zotin Meta.  Berisha kishte një situatë kushtetuese në të cilën mund të drejtonte mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Pa përmendur  që ai konsideronte si më të rëndësishëm këshilltarët e tij se sa ministrat dhe lista e ministrave  shkonte prej tij te kryeministri dhe firmosej po prej tij.

Sa i takon modeleve të krijuar me miratimin e kësaj Kushtetute më 28 nëntor 1998  janë disa.

Është modeli i presidentit Meidani, i cili zakonisht për tre ministra, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë dhe Ministrin e Jashtëm, kërkonte një konsultim paraprak. Pra duke patur parasysh që këto ishin ministra që me presidentin bashkëpunonin në baza ditore, ky president u imponoi në njëfarë mënyre të gjithë kryeministrave që bashkëjetuan me të, detyrimin që të konsultonin emrin paraprakisht, para se emrat të bëheshin publikë.

Natyrisht ky ishte një rast i protagonizmit presidencial, i cili lidhej me autoritetin individual e atij që ishte president. Nuk mund të lihej pa përmendur një rast, i cili nga një koleg është konsideruar si përdorimi i Meidanit nga ana e Metës, në rastin kur ai ka refuzuar të mos firmosë dekretet e kryeministrit Nano në prill të vitit 1998. Nano, në një përpjekje për të treguar se ishte një kryeministër funksional vendosi që të zevendësonte gjysmën e qeverisë pa kurrfarë motivimi të shkruar kushtetues, ndërkohë kur paketa kushtetuese që ishte atëhere në fuqi, i impononte atij që për secilin prej zëvendësimeve duhej  t’i jepte një sërë arsyesh për shkarkimet. Në kushte të tilla Meidani i imponoi dërgimin e propozimeve bashkë me argumentet shoqërues, për secilin shkarkim dhe në bisedat e tyre të brendshme është diskutuar dhe është imponuar pra ky precedent, i shoqërimit me argumenta të zevendësimit të ministrave. Meidani i përkujtoi  Nanos se zevëndësimi i gjysmës së kabinetit, ishte baraz me zevendësimin e komplet qeverisë, dhe pranim indirekt i faktit që qeveria nuk funksiononte ndaj kryeministri kishte vendosur që ta zëvendësonte gjysmën. Pra ishte në njëfarë mënyre pranim i drejtëpërdrejtë i dështimit të vet kryeministrit, si i tha Meidani Nanos. Mbasi që presidenti Meidani me kryeministrin Nano u pajtuan, nxorën një deklaratë të përbashkët. Ama prapë se prapë presidenti për të treguar distancimin nga një praktikë e tillë veprimi kryeministror, i çoi dekretet një nga një për miratim në parlament dhe jo të tetë menjëherë ashtu siç ishte propozimi i Nanos. Meidani bllokoi për disa ditë emërimin e një ministri të brendshëm më vonë, për shkak se ai kishte role drejtues në një kompani private, por situata u tejkalua kur ky ministër u dorëhoq nga drejtimi i saj.

Kemi pastaj presidentin Moisiu i cili nuk vinte si Meidani nga  një eksperiencë partiake sado e shkurtër, pra Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, nuk kishte ndikim tek partitë qeverisëse apo tek partitë kryesore të opozitës në mënyrë të tillë që të vazhdonte të impononte këtë precedent me kryeministrat. Ai ishte president në kohën e Berishës  dhe as që mund të mendohej se ai do të kërkonte pra qëë emrat e këtyre tre ministrave të konsultoheshin me të paraprakisht.

Nuk kemi, nuk njohim precedentë të tjerë të ngjashëm  nga presidenti Topi apo  nga Nishani.  Kemi të kundërtën : presidenti Nishani,  ndonëse refuzoi  publikisht që të pranonte emrin e Xhafës si ministër të Brendshëm, prapë se prapë e nënshkroi atë. E bëri duke e argumentuar se Kushtetuta e Shqipërisë thotë vetëm se ministër i Brendshëm, apo ministër mund të caktohet gjithsekush që i plotson kushtet e të qënit deputet.  Pra Meta praktikisht kapërceu standartin e Nishanit.

edi rama, ilir meta, lulzim basha

Precedenti i Metës

Precedentët quhen të tillë për faktin se nuk janë të shkruar, nuk imponohen në një formë të shkruar nga teksti i Kushtetutës apo nga ligjet kushtetuese ose ndonjë formë tjetër, ato imponohen si  ë tillë nga sjellja e presidentit, të cilët i përsërisin apo i kapërcejnë në jetën e tyre institucionale.  Në  këtë kuptim presidenti Meta vendosi një precedent të ri, të refuzimit të një ministri, për arsye  të cilat i janë bërë të ditura  kryeministrit dhe zotit Lleshi. Mirëpo nuk dihen, ndonëse Meta tha se do ja bënte me dije parlamentit, pasi ja bëri me dije kryeministrit, por jo publikut. Ky është një moment që Meta ka zgjedhur që të vendoset në një lloj drite konstruktive, duke dashur të supozohet se e ka bërë për ruajtur atë dinjitetin e emrit të tij.

Momenti i dytë është që me siguri Meta është dikushi që kërkon që të imponojë një precedent të ri, atë të konsultimit të tij për emra, edhe pse jo atë të negocimit për emra të tjerë.  Edhe kjo është një pjesë që do duhet kuptuar, sepse siç e thamë mënyra se si vepron një president lidhet edhe me fuqinë, forcën e tij politike, me eksperiencën, me autoritetin e tij personal. Sa kohë që Kushtetuta nuk e rregullon në mënyrë të detajuar se si vepron presidenti në raste të  tilla, duhet mbajtur parasysh se presidenti nuk mban përgjegjësi për aktet e kryera në funksionin e tij. Ndërkohë ai mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës.  Po a jemi në këto kushte, dhe për më shumë kur e majta nuk kamundësi që të  krijojë një shumicë të re siç është ajo e 2/3-tave.

Krahasimi me Presidentë në republika të tjera parlamentare

Këtu kemi modelin Italian i cili ndonëse në letër është i ngjashëm me ne, prapëseprapë ka eksperienca, ka precedentë në të cilët presidenti  është imponuar  për emra të caktuar.  Rasti i fundit është ai  i qeverisë aktuale italiane, ku presidenti është imponuar për emrin e Ministrit të Financave dhe për emrin e Ministrit të Jashtëm, dy emra të cilët lidheshin me marrëdhëniet e Italisë me Bashkimin Evropian. Me siguri ky është një argument që Meta e ka përdorur në veprimin e vet, në rastin e Lleshit.

Një moment tjetër brenda këtij rrafshi krahasimi me precedent ne shtet të tjera, është Kosova. Ndonëse Kosova është një shtet i ri, prapë se prapë duhet patur parasysh se Kushtetuta e Kosovës, e cila është e formuluar nga ekspertë të huaj, presidenti nuk është një autoritet i cili firmos emrat e ministrave.  Madje në Kushtetutën e Kosovës, saktësohet se « kryeministri i ndërron ministrat pa pëlqimin e kuvendit ». Pra, presidentit nuk  i jepet asnjë kompetencë as për emërime as për shkarkime, duke e bërë atë si një kompetencë ekskluzive të kryeministrit, ndonëse presidenti në Kushtetutën e Kosovës, ka kompetenca të tjera të rëndësishme siç është ajo e inicimit të inisiativave për ndryshimin e kushtetutës, apo është drejtues i politikës së jashtme, diçka që presidenti  i Shqipërisë nuk e ka.

Rama-ilir-meta-konica.al
Rama-ilir-meta-konica.al

Si veprohet përballë precedentit Meta ?

Meta siç e thamë ka vendosur të krijojë një precedent i cili e kapërcen atë të presidentit Nishani i cili iu desh të bashkëjetonte me një qevveri të së majtës. Gjithçka në këtë rast lidhet me autoritetin e tij personal, me partinë politike prej nga vjen, pra me konjukturën politike të përgjithshme. Në këtë kuptim thjesht dhe vetëm institucionet do duhen të përshtaten me një situatë si kjo, në pamundësi për të tentuar, për ta vendosur në gjëndjen e akuzës presidenciale e cila nënkupton 2/3-tat e parlamentit për t’u realizuar. Ky është një moment pra që do duhet përjashtuar, përsa kohë që e majta nuk i ka numrat, nuk besohet që Rama ka ndërmend të ndërmarrë një iniciativë të tillë.  Nuk dihet fjalimi që ai do të mbajë sot në Kuvend, por qasja që ai ka patur në komunikim ndaj presidentit, ka qenë e përmbajtur dhe nuk parathotë përplasje, ndonëse Meta po e provokon me fjali të caktuara si ajo e sekretarit të parë. Meta gjithashtu ka zgjedhur një formë të mospërplasjes së drejtëpërdrejtë duke mbushur mediat me argumenta që do të krijonin një vorbull konflikti.

Nuk do ndryshonte shumëçka nëse do kishim funksionale Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk do kishte shanse që ajo të përgjigjej shpejt duke patur parasysh afatet e shqyrtimit të saj, që janë deri në tre muaj. Nevoja e zëvendësimit të ministrave është më imediate dhe nuk pret kohë të tilla. Gjykata Kushtetuese ka trajtuar çështje të ngjashme edhe më përpara, siç është ajo e  mosshqyrtimit të  dekretit  të presidentit, pra një situatë e anasjelltë ku presidenti dekreton ministra, dhe dekretet e presidentit nuk shqyrtoheshin nga parlamenti. Liheshin në boshllëk, pa u hedhur poshtë. Sot problemi është tjetër.Kështu që kriza do duhet zgjidhur me gjetje elastike, sipas parimit- « çdo gjë që nuk ndalohet shprehimisht, lejohet ».

Zgjidhja me Gjykatën Kushtetuese është e paimagjinueshme. Edhe zgjidhja e dytë e akuzës presidenciale është e pamundshme për tu ushtruar për shkak se parlamenti nuk kontrollohet në një shumicë prejdy të tretat nga Partia Socialiste. Në fund të fundit kjo nuk do mund të konsiderohet si një shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Miratimi  i zotit Lleshi me Kuvend si ministër  është zgjidhje, por në funksionimin e detyrës së ministrit, atij do t’i mungonte firma presidenciale, betimi para presidentit, kështu që në këtë kuptim nuk do kishim një dekret të mirëfilltë të emërimit të ministrit. Pra do kishim propozimin e kryeministrit, do kishim vetëm një vendim parlamentar të cilët kanë domethënien e tyre politike, por të dy bashkë nuk  janë të barabartë me përmbylljen, me përsosjen ose përkryerjen e një procesi emërimi ministror.

Zgjidhja e dytë mund të ishte ajo  me komandim të njërit prej zëvendës ministrave ekzistues.

Zgjidhja e tretë mund të ishte një emër tjetër, por kjo do nënkuptonte përsëri konsultimin paraprak.

Zgjidhja e katërt mund të ishte emërimi i Lleshit zëvendës ministër i parë i Brendshëm dhe komandimi i tij në rolin e ministrit të Brendshëm, por në rast të tillë ai do të ishte ministër në detyrë dhe jo ministër i plotë. Do të kishte pasoja në rrogë, por në pikëpamje të të gjithë kompetencave të tij do të kishte autoritet të plotë.

Arsyet e Metës

Është supozuar shumë për ato që mund të jenë arsyet e Metës ndërkohë që si e shpjeguam kushtetuta nënkupton se firma e presidentit është substanciale dhe jo formale. Është folur për argumentin pengues të mbajtjes nga ana e Lleshit, të titullit Gjeneral rezervë. Ky ngjan se është një  argument i dobët, pasi në fund të fundit ‘gjenerali rezervë’ do të thotë një detyrë të cilën ai nuk e ushtron, prandaj quhet rezervë.

Prej këtij momenti mund të supozohet që Meta të ketë kërkuar, ose ta ketë imponuar, ta ketë parashtruar si argument parimin e ndarjes së pushtetit civil nga ai ushtarak, por kjo është hipotezë e vështirë për tu provuar edhe për të qëndruar në këmbë. Argumentet që kemi thënë deri tani, ato të vendosjes së precedentit që presidenti duhet konsultuar për emra të veçantë ministrash, është real, kështu që kjo supozohet që ka ndodhur.  Por jo vetëm kaq : Meta nëpërmjet bllokimit të dekretit për kreun e SHIK, ministrin e brendshëm, praktikisht tenton të cënojë legjitimitetin e kontrollit kryeministror (të sekretarit të parë si e quajti ai), në çështje të sigurisë dhe rendit publik,  të reformës  së drejtësisë, etj,  duke parathënë se kriza do të vazhdojë. Loja e shahut gjithashtu, sepse nuk është shahmat, si tha një tifoz i interesuar i Metës si Sali Berisha.