Me e pa këtë punë përtej Gllogjës e makinacioneve të çdoditshme, taksa 100% mbi prodhimet serbe âsht nji vendim i hajrit.
Po diqysh ajo prapë âsht si me shumëzue me zero.
A ka me u emancipue ndonjiherë ky konsumator gjithçkangrënës që prodhimi me barkodin #860 duhet me u evitue?
Që çdo artikull ushqimor e joushqimor duhet me u vlerësue jo me kriter muslimcash «a ka përbamje derri a jo», por me nji kriter të naltë ku kërkohet llogari për origjinën e tij…
Kur i sheh kolonat e vargisuna deri në 7 km në pikëkalimet kufitare në Merdare e te Dheu i Bardhë, kur e sheh që njerëzit tonë i zgjedhin qorrski e pa e vra mendjen autostradat e Serbisë, kur e sheh që diaspora jonë le miliona euro në doganat serbe, zor âsht me shpresue për naj ditë të bardhë…
Po harrojmë bre se ky milet verdhë-e-kaltër, hiç ma larg se në vitin 2003, rezononte kaq «logjikshëm»:
«Show Meselation» e pat ba nji sondazh me qytetarë n’Prishtinë e Mitrovicë me pyetjen «Si e komentoni vendimin e Uashingtonit zyrtar që Kosova të bëhet shteti i 51-të i SHBA?», dhe përgjigjjet e respodentëve kanë qenë «epo shumë mirë kjo», «e bravo ju koftë», «vendim i meritum».
As edhe nja nuk e lodhi kryet që kjo ishte veç nji blof sa me i vnu në lojë. Eh, ky milet e han çdo fore që fluturon, e le ma prodhimet serbe…