Kampionati i basketbollit amerikan, NBA, vazhdon të prodhojë rezultate të çmendura, dhe ndeshje mjaft emocionuese. Supersfida midis Golden State Warriors dhe Toronto Raptors u mbyll 131-128 në favor të kanadezëve, pasi u luajt edhe një pjesë shtesë.
Pavarësisht performancës së çmendur të Kevin Durant, i cili shënoi 51 pikë, mori 11 topa në tabelë dhe dha 6 asiste, kampionët nuk arritën të marrin fitoren përballë një prej skuadrave më të mira të këtij sezoni. Për Raptors, shkëlqeu Kaëhi Leonard me 37 pikë dhe 8 rebound, por dhe Kyle Lowry, me 10 pikë, 8 topa në tabelë dhe 12 asiste.
Sukses edhe për Los Angeles Lakers, 104-96 përballë Indiana Pacers. Pas paraqitjes zhgënjyese kundër Denver Nuggets, LeBron James u kthye të jetë lider i skuadrës si zakonisht, me 38 pikë, 9 rebound dhe 7 asiste për shokët e skuadrës.
Ndërkohë, më i miri për Pacers ishte Domantas Sabonis, djali i legjendës lituaneze Arvydas Sabonis, me 20 pikë dhe 15 topa në tabelë. Kjo ishte fitorja e 12-të për Lakers në 21 takime të këtij sezoni, dhe aktualisht renditen të 7-ët në Konferencën e Perëndimit.
Edhe rivalët e përjetshëm të Lakers, Los Angeles Clippers, arritën një fitore të rëndësishme kundër Sacramento Kings, me rezultatin 133-121. Skuadra e Doc Rivers vazhdon në këtë mënyrë ecurinë pozitive në kampionat, duke udhëhequr në Perëndim.
Tobias Harris shkëlqeu me 28 pikë dhe 6 rebound për Clippers, ndërkohë tek Kings nuk mjaftuan 26 pikët dhe 6 assistet e Bogdan Bogdanovic për të marrë fitoren.