MENU
klinika

Si lindin me “këmishë”

Legjenda e “trimave me fletë”!

28.11.2018 - 18:22

Studimet ndërdisiplinore kanë provuar se fjala e folur kishte më shumë pushtet në funksionimin e shoqërive me organizim fisnor parashtetëror. Në shoqëri të tilla pushteti dhe fuqia e fjalës ishin gati identike. 

Për këtë çështje të ndërlikuar Pierre Clastres (1934-1977), i cili ka studiuar mënyrën e jetesës, të organizimit dhe të komunikimit të anëtarëve të fiseve indiane të Amerkiës së Jugut, duke jetuar me anëtarët e tyre disa vite, ndër të tjera ka shkruar: “Për sa u përket shoqërive primitive amerikane, atyre indiane pra, prijësi, ai që zotëron pushtetin, zotëron gjithashtu edhe monopolin e fjalës.

Te këto fise të egra, kur duam të dimë se kush është i pari, nuk duhet pyetur: “Kush është prijësi juaj”? Duhet pyetur “Kush nga ju është ai që flet, kush i zotëron fjalët? “Mjeshtër dhe zot i fjalëve”, kështu e emërojnë prijësin e tyre një numër i madh fisesh. “Një prijës i heshtur s’mund të jetë një prijës”.

Fjala “vriste” edhe krijesën mitologjike më të fuqishme

Në përfytyrimet mitologjike mjaft të pasura të shqiptarëve, vend veçanërisht të rëndësishëm zënë dy krijesa me profile të kundërta: dragoi dhe kuçedra. Më së shumti kuçedra paraqitej si përbindësh ose gjarpër mjaft i madh që jetonte në pjesët e nëntokës.

Sipas përfytyrimeve mitologjike kuçedra u kundërvihej interesave jetike të njerëzve, u thante burimet, shkaktonte tërmete, stuhi dhe rebeshe që shkatërronin të mbjellat, provokonte vërshime lumenjsh ose thatësira të tejzgjatura.

Sipas besimeve mitologjike mjaft të përhapura ndër shqiptarët, fuqinë rrënimtare të kuçedrës e mposhte vetëm dragoi. Ndër shqiptarët e vjetër, të përhapura kanë qenë edhe përfytyrimet që e identifikonin dragoin me djem që kishin cilësi të veçanta që në lindje. 

Ndryshe nga të tjerët, djali-dragua lindte i mbështjellë me një cipë të hollë, që në gjuhën popullore quhej “këmishë” dhe me “fletë” ose krahë te shpatullat. Besohej gjerësisht se dragoi i sillte mbarësi për gjithçka në jetë, jo vetëm familjes ku lindte, por edhe anëtarëve të fisit dhe banorëve të gjithë krahinës.

Për djalin-dragua thuhej se “është me punë”, nuk është si të tjerët. Ai përfytyrohej me fuqi të jashtëzakonshme. Në përballje me kuçedrën, djali-dragua fluturonte nga njëri mal një tjetrin, qëllonte me saktësi për t’i asgjësuar njëra pas tjetrës disa kokë të kuçedrës. Në krijimtarinë folklorike të shqiptarëve burrat trima krahasohen me dragoin.

Për këtë po veçojmë disa vargje nga një këngë legjendare:

Kenka ba si me kenë drague,

N’cep të krahit e ka vnue,

Një mi okësh guri i ka qëndrue.

Pra, trimi krahasohet me dragoin dhe është në gjendje të ngrejë një gurë të rëndë 1000 okësh dhe nga një largësi e madhe ia vërtit në kokë armikut.

Edhe në letërsinë e kultivuar shqiptare të shekullit XX luftëtarët më të guximshëm në shëshbeteja me armë dhe në ato politike janë karakterizuar si “trima me fletë”.

Në elegjinë kushtuar Bajram Currit, njërit prej bashkëluftëtarëve më trima në luftë për të mbrojtur interesat e popullit shqiptar, nga lakmitë armiqësore që qarqeve shoviniste të vendeve fqinje dhe për përparimin e shumanshëm e të vrullshëm të Shqipërisë, erudite dhe poeti brilliant Fan Noli, kryemjeshtër i aliteracionit, ndër të tjera ka shkruar:

Vendi dridhej, ay mbeti,

Se s’tronditej nga tërmeti,

Dif dragoj i Dragobisë,

Trim tribun i vegjëlisë.

Kësisoj, në frymën e traditës së demonologjisë shqiptare, edhe Bajram Curri, dragua në këtë poezi, është aq i fuqishëm sa përballonte edhe rrjedhojat më të skajshme të çdo lloj tërmeti, jo vetëm të kores së tokës, por edhe të strukturave shoqërore e politike.

Por, dragoi i cili përballonte sfida kaq të rënda, vritej nga një fjalë. Nëse nëna i tregon dikujt se djali ka krahë ose fletë, ai vdiste menjëherë. Edhe studiuesit joshqiptarë kanë vënë në dukje se ndër shqipatrët e shoqërisë tradicionale ishte i ndaluar rreptësisht artikulimi i mallkimit “Tu thafshin krahët”. 

Nga një mallkim i tillë djali-dragua vdiste menjëherë. Këta djem rriteshin disi të mënjanuar nga bashkëmoshatarët e tyre. Përgjithësisht nuk martoheshin dhe vdisnin pa kaluar të dyzetat. 

Edhe largimi i tyre nga kjo botë përjetohej ndryshe nga familjarët e tyre. Nga njëra anë e prisnin me qetësi ikjen e tyre sepse nuk kishin ardhur në këtë botë për të jetuar si gjithë njerëzit e zakonshëm, por për “punë të tjera”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN