MENU
klinika

Mesfushorët kuqezinj

Lilaj dhe Gavazaj: Kombëtarja, mbi gjithçka!

15.11.2018 - 14:40

Sot, në konferencën për shtyp, e kanë pasur radhën për të folur dy ish-futbollistë të Skënderbeut, Sabien Lilaj dhe Enis Gavazaj, që tashmë luajnë jashtë. Lilaj e ka një këshillë të vogël për trajnerin Panucci, sepse kërkon një formacion stabël, ndërsa Gavazaj thotë se Kombëtarja të jep forcë.

SABIEN LILAJ

Skocia dhe Liga e Kombeve: “Ky kompeticion është në vend të ndeshjeve miqësore, ndaj është një përgatitje e mirë për kualifikueset e Europianit. Sa më shumë të qëndrojmë së bashku, aq më mirë është. Edhe për rezultatin janë dy ndeshje të rëndësishme, sepse çdo fitore vlen shumë.

Europiani: “Sigurisht, por tashmë është bërë shumë e vështirë. Tentuam, sepse ishte një mundësi e mirë, por tashmë shanset janë të vogla dhe të paktën besoj se do na shërbejë për kompaktësimin e grupit.

kombetarja panucci
kombetarja panucci

Pritshmëritë: “E nisëm mirë me Izraelin, morëm një fitore dhe rrua nisi mbarë. Në Skoci nuk na eci, goli i parë ishte pozicion jashtë loje. Në Izrael luajtëm mirë, por pësuam gola në mënyrë të pafat. Nuk kemi qenë keq, tani duam të fitojmë këtë ndeshje dhe të shohim më tej”.

Luhatjet: “Ka pasur, e vërtetë, edhe për shkak të ndryshimeve të shumta në skuadër, ndërsa nuk kemi pasur mundësinë të krijojmë një grup solid”.

Formacioni: “Sa herë ndryshohen lojtarët bëhet e vështirë për t’u kuptuar menjëherë me shokët e ekipit. Formacionin e vendos trajneri, janë vendimet e tij dhe i respektojmë. Shpresoj që shumë shpejt të kemi një formacion stabël”.

Mangësitë: “Edhe trajneri na ka folur, kemi punuar për gjuajtjet në portë dhe për skemat sulmuese. Duhet edhe pak fat, Balaj për shembull ka pasur disa mundësi të mira, por nuk i ka ecur”.

ENIS GAVAZAJ

Skocia: “Kemi folur me trajnerin, duke analizuar ndeshjen e fundit ndaj Izraelit, ku gabuam dhe çfarë duhet rregulluar. Në fakt nuk ishim keq, na mungoi vetëm goli, sepse loja ishte e mirë dhe meritonim më shumë, por duhet të gjejmë mënyrat për të shkuar më lehtësisht te goli”.

Skemat: “Ndeshjen e parë luajtëm me 3-5-2, nuk është një skemë shumë mbrojtëse. Është një skemë që lejon të bëjë fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Me Jordaninë e provuam, të shohim çfarë skeme do të përdorim për ndeshjet e radhës”.

Kombëtarja: “Nuk mjafton të luash jashtë. Unë e Abazaj kemi qenë në kombëtare edhe kur luanim në Superiore. Duhet shumë punë, nuk ka rëndësi ekipi dhe kampionati ku luan”.

Superiorja: “Nuk është shumë i ulët, ndoshta vetëm ritmi është pak i ulët, por jo niveli. Është një kampionat cilësor, sidomos vitin e shkuar u pa që ishte kampionat i fortë, që prodhonte ekipe që luanin mirë edhe në Europë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN