MENU
klinika

Deklarata

Lleshaj: Krimi kibernetik në rritje, Akademia e Sigurisë t’i nënshtrohet transformimit

21.11.2018 - 14:53

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka deklaruar nga konferenca shkencore ndërkombëtare “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare” se në vitin 2017 janë evidentuar 3.3 herë më shumë vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike, krahasuar me vitin 2010. Ai tha se krimi kompjuterik ka rritjen më të lartë në krahasim me krimet e tjera me të cilat po përballet Policia e Shtetit Shqiptar.

“Për të ndodhur ky ndryshim i madh dhe i shpejtë duhet që në radhë të parë Akademia e Sigurisë të shndërrohet në promotor të një shndërrimi modernizues. Kurrikulat e saj duhet që në mënyrë progresive të krijojnë hapësirë për teknologjinë e informacionit, për programimin kompjuterik, për financat, për ekonominë digjitale.

Këtu duhet të mësohet mirë përdorimi i droneve, i sensorëve të tjerë, i sistemeve inteligjente të analizës së informacionit, siguria kibernetike, etj.. Dhe bashkë me hapësirën për këto subjekte shkencore Akademia duhet të hapë dyert dhe të bëhet tërheqëse për një profil të ri studentësh dhe pedagogësh, të cilët janë futur ndërkohë në botën e re, që zotërojnë njohuritë, mjeshtëritë dhe pasionin e domosdoshëm për të lundruar dhe për të pasur sukses në këtë realitet të ri. Por një gjë është faktor kritik në këtë proces: Koha”, tha ai. 

Ministri i Brendshëm theksoi se hartimi i një strategjie për sigurinë kibernetike do të jetë një ndër hapat më të rëndësishëm i cili do të përcaktojë objektivat, rrugët dhe burimet e nevojshme për të luftuar krimin kibernetik në vend.