MENU
klinika

Mid’hat Frashëri mes polemikave

Maks Velo: Mid’hat Frashëri ishte antikomunist, properëndimor!

14.11.2018 - 11:10

Ndërsa debati vazhdon, nëse duhet apo jo që Mid’hat Frashëri të rivarroset dhe të nderohet me ceremoninë e duhur në Tiranë, sot në tokën shqiptare do të prehen eshtrat e tij. Ato janë sjellë nga New Yorku, SHBA për t’u prehur pranë vëllezërve Frashëri në Parkun e Liqenit Artificial. 

Shumë qytetarë kanë marrë pjesë në homazhe, të cilët kanë vlerësuar figurën e Mid’hat Frashërit si dhe e kanë gjykuar të drejtë vendimin për sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri.

Ndërkohë shkrimtari e piktori Maks Velo në një prononcim për mediat vlerësoi nga ana shkencore e intelektuale figurën e Mid’hat Frashërit, por dhe qëndrimin e tij politik si antikomunist dhe properëndimor.

“Më duket se ai nuk i ka përçarë shqiptarët. Shqiptarët janë përçarë shumë herë por vetë. Nuk është Mid’hat Frashëri ai që i ka përçarë. Fakti që ka kaq shumë njerëz në homazhe e tregon këtë. Mid’hat Frashëri ka disa vlera. Ajo që unë vlerësoj shumë dhe për të cilën kam ardhur është ana intelektuale e tij. 

Shkrimet e tij, publicistika e tij, ana shkencore e tij, dëshira e tij për t’u bërë një institut albanologjik. E vlerësoj nga ana shkencore Mid’hat Frashërin. Ana politike është shumë e diskutueshme. Ka dy pika që e mbrojnë Mid’hat Frashërin, fakti që ai ishte antikomunist dhe e dyta që qeveria amerikane nuk e arrestoi. 

Po të ishte kundër aleatëve, kundër botës demokratike amerikanët do e kishin gjykuar. Por fakti që ai vazhdoi veprimtarinë e tij, tregon që ai ishte një figurë e madhe properëndimore. Në shkrimet e tij ka shumë detaje të vyera. Qeveria ka bërë një vendim të drejtë me sjelljen e eshtrave.

Ne jemi të përçarë për shumë probleme dhe ky nuk është faji i Mid’hatit. Për çdo problem jemi fragmentar, kundërshtues, e me interesa të ndryshme. Por sjellja e eshtrave të Mid’hatit bën që ne të bashkohemi”,
deklaroi Maks Velo për News 24.