MENU
klinika

Baudelaire dhe Rreshpja

Mallkimi i të qenit poet

19.11.2018 - 18:12

Nga Andreas Dushi

Prej shekujsh, poetët shihen si njerëzit më me shpirt a botë të brendshme të cilët, në çdo pështjellim ndjenjash japin disa krijime të mbinatyrshme me ndjesi të fuqishme që ne njerëzit e thjeshtë i njohim si poezi. Duke e parë nga jashtë, të jesh poet, pra të dish të shprehësh vetveten, shihet si një fat i madh, ama duke e parë nga bota e poetit, të qenurit i tillë mund të jetë edhe një mallkim.

Ka shumë raste në letërsinë shqipe dhe në atë të huaj që na tregojnë jetët e mjeruara të poetëve të cilët, për dekada me radhë, me vargje kanë shkruar emrin e tyre në librin e pavdeksisë, ndërsa falë mënyrës se si jeta është sjellë me to, vdekja u është dukur fati tyre më i madh.

Poetë e shkrimtarë të mallkuar nga vendi, koha dhe shoqëria ka sa të duash. Mjaft të përmendim Pasternakun në Bashkimin Sovjetik i cili, falë vlerësimeve që mori në botën perëndimore, u kthye në një njeri që nuk meritonte gjë tjetër përveç përçmimit nga të gjithë dhe ndalimit të veprave të tij.

Rasti tipik i poetit të mallkuar është ai i Charles Baudelaire, njeriut që personifikohet dhe shikohet vetëm nën këtë etiketim. Vendi dhe koha kur shkroi, në simbiozë të plotë me shoqërinë në të cilën jetoi e bënë Baudelairen një njeri i cili me ato çka shkroi, nuk mund të ishte ndryshe përveçse i mallkuar.

Ai e dinte këtë fakt, por nuk luftonte me të. Madje me anë të poezisë, i thoshte lexuesit të ishte i kujdesshëm sepse po lexonte një libër të mallkuem:

Lexues i paqtë e bukolik,

I përkorë e naiv, njeri si duket,

Hidhe poshtë këtë libër shtuniak,

Të përmallshëm e orgjiak.

 

Në mos e paç ba retorikën

Të Shejtanit, ky dekan dinak,

Hidhe ose asigja nuk do t’kuptosh

E do të më marrësh për kodosh.

(Përktheu Primo Shllaku)

Baudelaire me revoltë shkruan për mohimin e Shën Pjetrit, për Abelin dhe Kainin, i thur Litani shejtanit dhe thotë uratë satanike, ndonëse vetëm satanik nuk ishte.

Në letërsinë shqipe, rast origjinal i mallkimit të poetit është ai i Frederik Rreshpjes. Me një jetë që fillon modestisht e mbaron në mënyrën më të mjerë të mundshme, Rreshpja është shembulli më kuptimplotë se një poet është i gatshëm që të vërë në dobi të poezisë, gjithçka. Rreshpja jetoi i vetmuar dhe vdiq në vetmi, jo pse nuk donte të tjerët, por sepse mbi të tjerët donte poezinë.

Rreshpja, ndryshe nga Baudelaire nuk u mallkua nga njerëzit, por nga Krijuesi, sepse ai kishte vendosë ta lindte të mallkuem me art.

Në fund të këtij shkrimi modest, duhet vënë patjetër një pjesë e poezisë “Testament” të Rreshpjes:

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur

I mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe:

Nëpër shirat e vdekur

Peshqit fluturonin drejt qerdheve te ujet.

Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

Era si ketër brente degët.

Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!

Mos e pastë njeri këtë fat!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit