MENU
klinika

Depozitat e shqiptarëve

Më pak para të nxjerra jashtë vendit

25.11.2018 - 10:53

Investimet e sistemit bankar jashtë vendit janë ngadalësuar në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, pretendimet ndaj jo rezidentëve në mesin e këtij viti kishin vlerën e 355 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky tregues është rritur në vlera modeste, me rreth 1.7%.

Pjesërisht, rënia është ndikuar edhe nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit, duke qenë se statistikat raportohen në monedhën vendase, ndërsa vendosjet janë kryesisht në euro.

Megjithatë, edhe përtej efektit të kursit, këtë vit bankat po zhvendosin më pak fonde jashtë vendit. Një nga arsyet kryesore mund të jetë rritja e kreditimit në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit kredia në valutë zinte 57.2% të portofolit të sistemit bankar, nga 56.4% që kishte qenë në fund të vitit 2017.

Të dhënat tregojnë se rritja e kredisë në valutë është mbështetur sidomos nga biznesi dhe kryesisht nga sektorët që bëjnë blerje në valutë, si tregtia. Rritja e kredisë në valutë i ka dhënë bankave një alternativë për përdorimin e depozitave në euro, që në vitet e fundit e kanë rritur peshën e tyre në pasivet e bankave.

Ngërçi i kreditimit i kishte detyruar bankat që fondet e lira në valutë t’i investojnë kryesisht në formë depozitash në banka jashtë vendit.

Depozitat zënë pjesën më të madhe të pretendimeve të bankave ndaj jorezidentëve, megjithatë një tendencë në rritje në tre vitet e fundit kanë pasur edhe huatë për jo rezidentët, si edhe investimi në letra me vlerë nga emetues të huaj.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arrijnë në 7.9 miliardë euro

Sezoni turistik rrit depozitat