MENU
klinika

Përplasja për Lleshin

Meidani: Rama dhe Meta të konsultoheshin më përpara

06.11.2018 - 17:19

Ish-Presidenti Rexhep Meidani shprehet se për të shmangur situata të tilla mes institucionit të Presidentit dhe atij të Kryeministrit, kërkohen konsultime dhe shkëmbime mendimesh mes dy krerëve të institucioneve.

I pyetur nga gazeta “Panorama” rreth vendimit të Presidentit Meta për të mos dekretuar kandidatin për ministër të Brendshëm, ish-kreu i shtetit tregon përvojën e tij, të cilën e cilëson “teknologji të dekretimit”. Zoti Meidani, përmes këtij shembulli, tregon se ajo teknologji që ka funksionuar në atë kohë, duket se nuk funksionon sot mes dy institucioneve dhe më gjerë, duke sjellë këtë situatë.

“‘Teknologjia’ e dekretimit për rastin e emërimeve të ministrave ka qenë e tillë, që e shmangte një situatë si kjo e fundit: paraprakisht realizohej një shkëmbim mendimesh dhe kandidaturash midis Kryeministrit dhe Presidentit, pastaj dërgohej propozimi për dekretim nga ana e Presidentit”, shprehet ish-Presidenti Meidani. Sipas tij, i njëjti konsultim zhvillohej edhe për emërimet që propozoheshin nga institucionet e tjera si Kuvendi apo ministri i Jashtëm për kandidatura që prisnin dekretimin e Presidentit të Republikës.

sander lleshi rama e meta-konica.al
sander lleshi rama e meta-konica.al

“Po kjo praktikë vlente dhe për emërimin e kryetarit të SHISHit. Një praktikë e ngjashme zhvillohej për emërimin e ambasadorëve, por diskutimi paraprak bëhej me ministrin e Jashtëm. Po e njëjta teknologji zhvillohej dhe për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por tani konsultimi paraprak kryhej me Kuvendin, ose të paktën me grupimin apo grupet që garantonin shumicën e nevojshme”, shprehet zoti Meidani.

Për ish-kreun e shtetit, procedura e konsultimeve dhe e shkëmbimit të mendimeve për kandidaturat që duhet të dekretonte Presidenti i Republikës, ka çuar në shmangien e konflikteve mes institucioneve. Por ish-Presidenti sheh si shqetësimin më të madh mungesën e Gjykatës Kushtetuese.