MENU
klinika

Opinion

Meta, Rama dhe çorba e prishur!

03.11.2018 - 12:35

Nga Denis Dyrnjaja/

Presidenti me shumë gjasë nuk do ta dekretojë Sandër Lleshajn si Ministër të Brendshëm. Por edhe nëse e dekreton ai do ta ndërmarrë këtë akt në limitet ose jashtë afateve kushtetuese. Ky “lapsus juridik” kohor e bën nul dekretimin si akt dhe në çdo rrethanë Sandër Lleshaj nuk do të ishte dhe nuk do te jetë dot Ministër i Brendshëm.

Po çfarë ka Ilir Meta me Sandër Lleshajn?! Sigurisht asgjë personale. Në këtë rast ai, Sandri, është një “fatkeq politik”, që do te jetë kokë turku për dufet politike që opozita ka dhe i shpreh nëpërmjet Presidentit të LSI-së, që mendon se duke thënë se nuk merret më me partinë shqiptarët e besojnë.

Pra Meta nuk po bën asgjë më pak dhe ndryshe nga sa duhej të bënte edhe pse veprimet e tij i vesh me petkun kushtetues dhe përgjegjësinë e detyrës që ushtron si president republike. Me mundësitë kushtetuese që i jep detyra që ushtron ai përpiqet që të nervozojë Ramën, duke njohur mirë natyrën e kryeministrit si person.

Por në këtë rast nuk duhet akuzuar dhe pretenduar pse Meta sillet kështu. Rama duhet ta gjejë problemin te aktet dhe lëvizjet e veta politike. Nga dëshira për pushtet dhe pasiguria se mund te rrëzonte Berishën në 2013-ën, bëri pakt dhe e hipi Ilir Metën dhe LSI-në e tij për 4 vjet në rimorkion e Autobusit të Rilindjes, pasi Meta me të tijtë sapo kishte zbritur nga autobusi i qeverisjes së Berishës.

4 vjet hëngrën e pinë mbi tepsinë e pushtetit bashkë dhe më pas u ndanë, por Rama vendosi t’i jepte Metës votat e socialistëve te tij për ta zgjedhur President, ndërsa LSI shkoi në opozitë dhe me nervozizëm nisi betejën anti-Rama pikërisht sapo humbi pushtetin. Pra pranvera (stina) dhe vera (pija), drekat dhe darkat mes sillojit te vet kishin përfunduar. Vetëm Rama e di pse vendosi ta bënte këtë akt politik, ndoshta ishte një detyrim ndaj Metës, ndoshta ishte një pakt për pasojat e reformës së pritshme në drejtësi dhe veprimit të pritshëm të SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të hetimit dhe imuniteti institucional në të tilla raste është i nevojshëm.

Këtë e dinë vetëm ata, pra Meta dhe Rama pse Meta sot është Presidenti që i bën Ramës karshillëk politik, karshillëk që Kryeministri askujt nuk ja duron dot por Metës, po. Sepse ia duron ai e di. Gëlltit njeriu një lugë çorbë të prishur dhe pastaj duhet të vjellë tërë jetën. Edhe Ramën kjo çorba e mban peng, ndaj Erion Braçe kot i kërkon Ramës të ndërmerret nisma për shkaktimin e Presidentit. Ai e di që kjo s’do ndodhë për shkak të lugës me çorbë që ka ngrënë Rama dhe se përmbi të gjitha rastet për shkaktimin e Presidentit janë të përcaktuara qartë në kushtetutë dhe Meta nuk shkel asnjërin prej tyre deri më tani.

Kur të ngrihet SPAK-u historia me siguri do të ndryshojë edhe për Metën edhe për Ramën, edhe për Berishën e Bashën. Të gjithë janë pjesë e tasit me çorbë të prishur dhe maksimumi që bëjnë tani për tani është që kërcënojnë njëri tjetrin në distancë për t’i treguar sesa lugë çorbë kanë ngrënë. Dhe ato nuk janë thjeshtë lugë. Janë afera miliona euroshe dhe pasurim përmes pushtetit. Sepse sigurisht kaq gjë e kanë bërë kanë ngrënë por dhe ja kanë numëruar dhe ja dinë njëri tjetrit sa! Ndërkohë Sandër Leshaj vazhdon të presë emërimin. Idealistët në fund të fundit këtë detyrë kanë të presin!