MENU
klinika

Zbutja e qëndrimit anti-saudit

Milionat e lobimit arabo-saudit në kongresin amerikan

01.11.2018 - 14:43

Arabia saudite ka shpenzuar miliona dollarë për të ndikuar në Kongresin Amerikan. Lobistët amerikanë të paguar prej saj mësohet të kenë dhënë mbi 2,3 milionë dollarë për fushatat politike amerikane në fund të vitit 2016 dhe fillimin e vitit 2017, në kuadër të një operacioni të gjerë ndikimi për të zbutur, siç thotë VOA, qëndrimet anti-saudite në Kongres dhe për të nxitur interesat e tjera saudite në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri, i cili mbështetet në regjistrin federal amerikan për lobizmin. Analizimi i të dhënave tregoi se 25 për qind e fondeve u ishin dhënë Komisioneve për Veprim Politik, ndërsa mbi 1,5 milionë dollarë u përdorën për fushata elektorale individuale, me afro 400 mijë dollarë të dhëna për 75 anëtarë të Kongresit, të cilët u kontaktuan nga lobistët në emër të Rijadit zyrtar.

Në mesin e republikanëve, përfituesi më i madh i donacioneve të fushatës nga lobistët që punonin për sauditet ishin Kevin McCarthy, udhëheqësi i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në krahun demokrat, Senatori Bill Nelson.

Në 12 raste, anëtarë republikanë dhe demokratë, kanë marrë kontribute për fushatat e tyre në të njëjtën ditë, që zyrat e tyre ishin kontaktuar nga lobistë të sauditëve, që në shumë raste kishin lidhje me projekt-ligjin për të lejuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara që të hidhnin në gjyq Arabinë Saudite.

Në hulumtimet tona, – u shpreh autori i raportit Ben Freeman, – gjetëm se lobistët në favor të sauditëve bënë përpjekje të vazhdueshme në vitin 2017…dhe mendja ta do, që po bëjnë të njëjtën gjë edhe tani”.

Raporti vjen në kohën kur janë shtuar zërat që dënojnë vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll.

Katër firma amerikane lobimi tashmë kanë ndërprerë punën për Arabinë Saudite, ndërsa një kompani tjetër e ka shtuar këtë vend si klient të saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dy “shtylla binjake”të një aleance të madhe

Pse Evropës i duhet Amerika?