MENU
klinika

519 mld lekë shpenzime

Miratohet sot buxheti i vitit 2019

22.11.2018 - 15:08

Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë të enjten buxhetin e vitit 2019. Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon shpenzime në vlerën e 519 miliardë lekëve.

Defiçiti buxhetor për vitin 2019 planifikohet në nivelin 1.9% të PBB, që është niveli më i ulët i targetuar në ligjin vjetor të buxhetit në dy dekadat e fundit. Për të katërtin vit, radhazi bilanci primar parashikohet të jetë pozitiv në nivelin 0.5% të PBB. Kjo pritet të çojë në një ulje të qenësishme të borxhit publik për të katërtin vit radhazi. Në fund të vitit 2019 borxhi publik pritet të bjerë në nivelin e 64.9% të PBB.

Sipas parashikimeve të qeverisë, rritja ekonomike parashikohet të vijojë të forcohet dhe të arrijë nivelin 4.3% në vitin 2019. Norma mesatare e papunësisë parashikohet të bjerë në 12% në 2019, dhe pritet të gjenerohen mbi 30 mijë vende të reja pune.

Rritja ekonomike dhe punësimi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 5% e PBB.

Buxheti 2019 financon politika të reja për rritjen e pagave në shëndetësi, arsim parauniversitar, mbrojtje dhe sistemin e burgjeve, me një rritje prej 7%. Gjithashtu parashikohet dhe një rritje e pagës për punonjësit e përfaqësive diplomatike. Numri i përfituesve është rreth 65 mijë punonjës me një kosto prej 3 miliardë lekë në vit.

Buxheti parashikon shpërblim për lindjet, me synim uljen e moshës mesatare të popullsisë, nga e cila parashikohet të përfitojnë rreth 30 mijë familje.