MENU
klinika

Fotot

Ndizet pema e Vitit të Ri në shesh

16.11.2018 - 20:22

Ndonëse duhen ende ditë nga festat e fundvitit, stina e festave ka mbërritur në Tiranë. Në sheshin “Skënderbej” dhe në rrugët e Tiranës janë ndezur sot dritat vezulluese që simbolizojnë ardhjen e festave të fundvitit.

Kori i Liceut Artistik dhe Banda Frymore e qytetit të Tiranës ishin kujdesur për të krijuar një atmosferë festive, ndërsa dhjetëra fëmijë të veshur me ngjyrat e festave të fundvitit dhe qytetarë të shumtë kishin rrethuar pemën gjigande të Vitit të Ri.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa mori pjesë në ndezjen simbolike të dritave të pemës, u shpreh se edhe Tirana i bashkohet këtë vit kryeqyteteve të botës, të cilat festat kanë vendosur t’i nisin pak më shpejt.

“Disa prej jush, sidomos fëmijët që janë këtu, më kanë çuar peticione, kanë mbledhur firma në klasë, në lagje, në shkollë dhe na kanë thënë: Lali Eri, a mund të zgjasësh pak më shumë festat, se mbyllen shumë shpejt? Nuk i zgjasim dot pas 1 janarit, por ajo që mund të bënim është t’i fillojmë pak më herët dhe në fakt, në gjithë qytetet e botës ka filluar pak më herët festa, ndaj kjo është arsyeja pse do t’i hapim që sot dritat e festës, jo vetëm këtu, por në disa vatra, edhe në sheshin Skënderbej, edhe tek Liqeni, këtë fundjavë tek Pazari i Ri dhe në të 24 njësitë e Tiranës, për t’u siguruar që e gjithë Tirana, nga cepi në cep, ka një stinë festash të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi se kjo stinë festash duhet të shërbejë për këdo, jo vetëm për të festuar dhe kaluar më shumë kohë me njeri-tjetrin, por edhe për treguar më shumë solidaritet me më të dobtit.

“Unë jam i bindur që ashtu siç e bëmë vjet, që e gjithë stina e festave ishte një stinë solidariteti për të ndihmuar të moshuarit, për të ndihmuar ata që janë në qendrat sociale, për të ndihmuar personat që janë të vetmuar, personat që janë në institucione, siç është Shtëpia e të Moshuarve apo Shtëpia e Fëmijëve, unë jam i bindur që Tirana këtë vit do jetë akoma më solidare”, shtoi kryebashkiaku.

Kryetari i bashkisë u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit që së pari të festojnë festën e çlirimit të Tiranës dhe më pas edhe festat kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit.