MENU
klinika

Opinion

‘Ne konsultoheshim për kandidaturat që të shmangnim përplasjet!’

06.11.2018 - 11:01

Nga Rexhep Meidani, ish president

Përgjigja me celular për gazetarin e “Panoramës”:

“Teknologjia” e dekretimit per rastin e emërimeve të ministrave ka qenë e tillë që të shmangte një situatë si kjo e fundit: paraprakisht realizohej një shkëmbim mendimesh dhe kandidaturash midis kryeministrit dhe presidentit, pastaj dërgohej propozimi per dekretim nga presidenti. Po kjo praktikë vlente dhe për emërimin e kryetarit të SHISH-it.

Një praktike e ngjashme zhvillohej për emërimin e ambasadorëve, por diskutimi paraprak bëhej me Ministrin e Jashtëm. Po e njëjta teknologji zhvillohej dhe për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por tani konsultimi paraprak kryhej me kuvendin, ose të paktën me grupimin apo grupet që garantonin shumicën e nevojshme.

Kam parë interpretime të ndryshme analistësh e gazetarësh, po shumica kanë pasur një lexim të gabuar të procedurave të tilla. Ideja kryesore në atë kohë ishte që të shmangeshin konfliktet midis institucioneve kryesore. Po ky koncept duhet të funksionojë edhe sot, aq më tepër që mirëkuptimi duhet t’i shërbejë ecurisë normale institucionale. Tjetër gjë është kur arsyet janë tepër të forta për një kandidaturë konkrete. Por kjo gjë kërkon një argumentim serioz.

Problemi i sotëm është akoma më shqetësues në mungesë të Gjykatës Kushtetuese!