MENU
klinika

Cila çështje nuk është zgjidhur ende?

Negociatat për Brexit/ Marrëveshja 95% gati

08.11.2018 - 11:23

Ministrat e kabinetit qeveritar janë ftuar të lexojnë draft marrëveshjen e Mbretërisë së Bashkuar  me BE-në, edhe pse nuk është përfunduar ende.

Theresa May ka thënë se marrëveshja është 95% gati, por ende nuk ka marrëveshje për të garantuar  se do të shmanget “kufiri i vështirë” me Irlandën e Veriut.

Kjo është çështja më e diskutueshme, që e ka vendosur kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar nën presionin e partisë së saj si dhe  Bashkimit Europian.

Kryenegociatori i Brexit, Michel Barnier tha se ishte e qartë që nevojitet më shumë punë.

Theresa May tha se në marrëveshjen e tërheqjes janë përfshirë çështjet si të drejtat e qytetarëve, periudha e tranzicionit dhe Gjibraltari , ndaj thotë se është 95% gati.

Britania e Madhe dhe BE nuk mund të bien dakord për të shmangur kontrollet e reja kufitare në Irlandën e Veriut.

BE-ja dhe Irlanda thonë prej kohësh se nuk kanë asnjë qëllim të kontrollojnë territorin e Irlandës së Veriut, por një nga propozimet është që kjo zonë të mbetet pjesë e doganave të unionit dhe nën ndikimin e Gjykatës Europiane pas “Brexit”-it, diçka që konsiderohet e papranueshme nga Londra.

Ka disa opsione për kufirin mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut, ku më i preferuari nga palët është ai i një kufiri të padukshëm dhe pa kontrolle. Por, kjo do të kërkonte një marrëveshje të detajuar të tregtisë së lirë me Britaninë, gjë që shumë mbështetës të “Brexit”-it e shohin si të papranueshme, pasi thonë se Londrës do t’i duhej të pranonte rregullat e Unionit edhe pas daljes nga BE-ja.

Kabineti qeveritar në Britani u takua të martën dhe nuk arritën në ndonjë përfundim, dhe ministrant presin që një takim tjetër i kabinetit të organizohet brenda disa ditëve, ku May ka mundësi t’i nxisë ata të nënshkruajnë marrëveshjen e Brexit.

Pak kohë më pare, Donald Tusk,  kreu i Këshillit Evropian u shpreh “Vendimi i Britanisë, ka shkaktuar shumë probleme lidhur me kufirin me Irlandën, prandaj Britania e Madhe do të duhet të ndihmojë në zgjidhjen e tij. Pa një zgjidhje, nuk do të ketë një marrëveshje për tërheqje, as tranzicion”, përfundoi Tusk.

Në vitin 2016, 56 për qind e qytetarëve të Irlandës së Veriut votuan që të qëndronin në BE.

Dublini tashmë ka shprehur qëllimin për të bllokuar çdo tërheqje nga BE-ja, nëse Britania nuk kënaq kërkesat për çështjen e kufirit.