Sipas një raporti të qeverisë amerikane, në Shtetet e Bashkuara është duke u shtuar ndikimi i ndryshimeve klimatike, që shihet konkretisht në stuhitë e fuqishme, thatësirat dhe zjarret në pyje.
Raporti, i hartuar me ndihmën e më tepër se 12 agjencive dhe departamenteve qeveritare, shpesh bie ndesh me politikën e Presidentit Donald Trump, i cili është tërhequr nga marrëveshja për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, me qëllimin për të rritur në maksimum prodhimin e karburanteve fosile në vend.
Zoti Trump dhe disa anëtarë të kabinetit të tij kanë hedhur vazhdimisht dyshime mbi përcaktimin shkencor të ndryshimeve klimatike duke thënë se shkaqet nuk janë përcaktuar ende.
Raporti që u publikua me miratimin e Kongresit amerikan, u publikua të premten disi në heshtje, në fundjavën e festës së Ditës së Falenderimeve.
Shtëpia e Bardhë e kritikoi raportin si të pasaktë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Lindsay Ëalters i tha agjencisë Reuters se raporti “bazohet së tepërmi në skenarin më ekstrem, në kundërshtim me prirjet e përcaktuara prej një kohe të gjatë, duke supozuar që …do të kishim teknologji dhe novacione të kufizuara dhe një shtim të madh të popullsisë.”
Në raportin “Vlerësim për Klimën Globale”, prej më tepër se 1 mijë faqesh, paralajmërohet se ka për të patur fatkeqësi natyrore më të fuqishme dhe më afatgjata, të shkaktuara të paktën pjesërisht, nga ngrohja globale.