MENU
klinika

Heqja e roaming me Kosovën

Nis puna për zbatimin e marrëveshjes

28.11.2018 - 12:50

Shqipëria dhe Kosova kanë nisur punën për heqjen e roaming mes dy vendeve. Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Shqipërisë, Ilir Zela zhvilloi të martën një bisedë telefonike me kreun e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Republikës së Kosovës, Kreshnik Gashi, në të cilën është mirëpritur marrëveshja e qeverive të dy shteteve tona për heqjen e tarifës roaming për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Drejtuesit e autoriteteve rregullatore kanë përshëndetur marrëveshjen ndërmjet dy qeverive dhe kanë rënë dakord të fillojnë menjëherë punën përgatitore për zbatimin e marrëveshjes.

Dy drejtuesit e Autoriteteve Rregullatore të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, e kanë cilësuar marrëveshjen ndërqeveritare, si një vendim që shkon në drejtim të frymës që Bashkimi Europian po promovon për rajonin tonë që të hiqen barrierat ndaj qytetarëve.

AKEP dhe ARKEP janë shprehur zyrtarisht  mirëpresin zgjerimin e kësaj marrëveshje edhe me shtetet e tjera të rajonit, si dhe me vendet e Bashkimit Europian, dhe do të bashkëpunojnë ngushtësisht me këto vende në kuadër të BEREC në përmbushje të Axhendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor të udhehequr nga Komisionerja Gabriel.

Ndërkohë, muajin e ardhshëm pritet të finalizohet marrëveshja për uljen, deri në hqjen e plotë, të tarifave të roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja pritet të prezantohet në Sesionin Plenar të Grupit të Autoriteteve Rregullatore Europiane (BEREC) që do të zhvillohet në muajin dhjetor.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN