MENU

Armand Duka

“Panucci merr notën 6, nuk fola me Kolën”

27.11.2018 - 14:59

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, teksa fokusi ishte padyshim te ekipi Kombëtar. Duka nuk la pa përmendur as stadiumin si dhe eliminatoret e Europianit që do të startojnë në mars.

NOTA PËR PANUCCIN? – “Nuk jam shumë i sigurt për të gjithë, por në perceptimin tim, nga 1 deri në 10, njeriu është i kënaqur vetëm me veten e vet. Kështu që nota maksimale që mund t’i japim një tjetri, s’besoj se mund të japë ndonjë më shumë se 6 apo 7. Ky është vlerësimi maksimal.

Kombëtarja është gjeja më e shtrenjtë që kemi. Nuk mund të ketë eksperimente. Të tentosh dhe të guxosh, nuk është eksperiment. Jam i sigurt, që me atë c’kanë paraqitur në pak ndeshje, qoftë Ismajli apo dhe Uzuni, apo dhe mbrojtësi i majtë (Binaku), janë alternativa, për të qenë titullarë ne eliminatoret e Europianit. Nuk janë pak, 3 lojtarë në 11 janë 30% e skuadrës.”

BLEDAR KOLA – “As e kam menduar dhe as e kam kontaktuar Bledar Kolën së fundmi. Kam marrëdhënie me të, madje e kam kontaktuar dikur, i kam ofruar një nga ekipet Kombëtare, por shumë vite më parë. Ai nuk ka qenë i gatshëm se ka qenë i angazhuar në Greqi. Pas ndeshjeve, vendosëm që do vazhdojmë me të njëjtin staf.

Nuk kemi luksin dhe nuk do përfitojmë ndonjë gjë, po të bëjmë ndryshime.  Në mars do futemi në fushë në një ndeshje zyrtare. Do të ishte eksperiment shumë më i madh, nëse do të bënim diçka.”

SHQIPËRIA – “Kombëtarja e ka fajin vet. Në kuptimin që e ka vënë stekën shumë lartë. Ne kërkojmë që ta kalojë atë stekë. E çuan Shqipërinë në Europian dhe tani ne ua vëmë detyrë atyre. Duhet të jeni në Europian!

Në momentin që ata nuk janë në Europian, ne i themi jeni të dështuar. Unë vazhdoj të them që Kombëtarja është gjëja më e mirë që ne kemi në Shqipëri.

Me Skocinë mos mendoni se e ka të lehtë të fitojë dhe Gjermania apo kampioni i botës, Franca. Mund të bëjmë më mirë, mund të kishim bërë më mirë, ka gjëra për të përmirësuar. Nuk di nëse kemi ndonjë gjë tjetër që ne matemi me Skocinë.”

BASHKIM FINO NË CAS – “Gjykata i ka njohur, ka nisur gjithë vendimet e Asamblesë së futbollit. Ky kapitull është i mbyllur. Në çdo rast unë zbatoj çdo lloj vendimi.”

duka armand
duka armand

“ARENA KOMBËTARE”“Objektivi ynë ishte të përfundonte në mars. Kemi shumë pengesa dhe ato financiare së fundmi.”

Ky është një shqetësim për ne. Në buxhetet tona ishte planifikuar që TVSH duhet të rimbursohetet. Që të pengohet zhvillimi i një projekti kaq madhor për cinizma apo interesat e njerëzve që janë në komisionin e ekonomisë më duket shumë e padrejtë.

Uroj në një reflektim të Ministrisë së Financave me qëllim që stadiumi të përfundojë në 2019. Qeveria shqiptare ka paguar 0 për atë stadium. Nuk mund të na mohojë dhe të drejtë e rimbursimit të TVSH-së dhe ta pengojë përfundimin e projektit.”

KOSOVA – “Na qan pak zemra për paraqitjen e Kombëtares. Të gjithë duam të fitojmë. Është e vështirë që ta bëjmë krahasimin Kosovë-Shqipëri. Në futboll masin rezultatet. Ekipi i Kosovës është për t’u përgëzuar, sepse në një kompeticion të dytin historik zyrtar bëri një paraqitje shumë të mirë, pavarësisht se një kategori inferiore.

kosova
kosova

Nëse do t’i krahasoni me renditje, lexojini në renditjet e FIFA-s. Nuk e imagjinoj përballjen tonë zyrtare me Kosovën. Por gjithsesi, ekzistojnë mundësitë. Ne jemi në vazon 4, Kosova është në vazon 5.”

POLITIKA – “Nuk kam menduar të përfshihem në politikë. E kam thënë kurrë mos thuaj kurrë, sepse nuk i dihet në kohë të ndryshme, në momente të ndryshme, njeriu merr vendime të ndryshme.

Nuk kam asgjë në planet e mia. Më pëlqen kjo që bëj. Më pëlqejnë sfidat e futbollit. Më pëlqen të realizojmë projektet. Kompleksi i ri, shtëpia e futbollit dhe 2 mini-stadiume brenda”, – u shpreh Armand Duka, presidenti i FSHF-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenti i FSHF për humbjen

Duka: Koha e llogoreve nuk vlen për askënd

Presidenti i FSHF largon presionin

Duka: Kombëtarja e Shqipërisë, jo e Panuccit