MENU
klinika

Dossier

Pasiguria ushqimore, dëm kolosal në ekonomi

18.11.2018 - 12:55

Hendeku mes nevojës për siguri ushqimore dhe kapacitetit në Shqipëri është tepër i lartë. Sipas një raporti të Bankës Botërore, në drejtim të hendekut, Shqipëria është e gjashta në botë, mes vendeve me të ardhura te mesme dhe të ulëta. Pra, vendet që e vuajnë më së shumti problematikën e sigurisë ushqimore.

Madje, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i pasigurtë në Europë në drejtim të sigurisë ushqimore për produktet shtazore. Asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër, e as në Ballkanin Perëndimor nuk ka një diferencë kaq të madhe sa Shqipëria mes nevojave dhe kapacitetit, çka do të thotë se mungesa e sigurisë ushqimore është alarmante.

Një tjetër indikator, ai i kapaciteteve të sigurisë ushqimore për produktet shtazore e  rendit Shqipërinë në vend të fundit në Europë, me një indeks në thuajse 40 pikë. Për vende si Serbia, ky indeks fiksohet në mbi 75 pikë. Kjo do të thotë se, nuk janë vetëm nevojat të larta, por edhe kapacitetet mjaft të dobëta për t`i bërë ballë sigurisë ushqimore, që sipas Bankës Botërore është një emergjencë, që i shkakton vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme rreth 110 miliardë dollarë dëm çdo vit.

Mungesa e sigurisë ushqimore çon në produktivitet më të ulët si dhe kosto të larta për trajtime mjekësore, duke qenë se një sërë sëmundjesh e kanë pikërisht këtu zanafillën. Por, në tërësi, në indeksin e kapacitetit të sigurisë ushqimore, pra për çdo lloj ushqimi dhe jo vetëm ato me bazë shtazore, Shqipëria ka një performancë bindshëm më të mirë.

110 mld USD humbje çdo vit

Studimi i ri i Bankës Botërore zbulon se ndikimi i ushqimit të pasigurt kushton rreth 110 miliardë dollarë në produktivitetin e humbur si dhe në formën e shpenzimeve mjekësore, çdo vi, në vendet me të ardhura të mesme dhë të ulëta. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre kostove mund të shmangen duke miratuar masa parandaluese që përmirësojnë mënyrën se si ushqimi trajtohet, që nga ferma e deri të pjata në tavolinat tona.

Menaxhimi më i mirë i sigurisë së ushqimit do të kontribuonte ndjeshëm në arritjen e shumë qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht ato që lidhen me varfërinë, urinë dhe mirëqenien. Sëmundjet me origjinë nga ushqimi i keq ishin rreth 600 milionë në 2010, ndërkohë që raportohen 420,000 vdekje të parakohshme sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kjo barrë globale e sëmundjes, që vjen nga ushqimi është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Azinë Jugore, Azinë Juglindore dhe Afrikën sub-Sahariane bartin një barrë relativisht të lartë. Ato përbëjnë 41 për qind të popullsisë botërore, por 53 për qind të të gjitha sëmundjeve që vijnë nga ushqimi dhe 75 për qind të vdekjeve të lidhura me të.

Ushqimi i pasigurt kërcënon më shumë fëmijët e vegjël: megjithëse fëmijët nën moshën 5 vjeç përbëjnë vetëm 9 për qind të popullsisë botërore, ata përbëjnë pothuajse 40 për qind të sëmundjeve ushqimore dhe 30 për qind të vdekjeve të lidhura me ushqimin jo të sigurtë.

Hapat që duhen ndërmarrë

Përshpejtimi i progresit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme tregon këto statistika të zymta në terma ekonomikë dhe kërkon vëmendjen e qeverive si dhe investime më të mëdha apo edhe korniza më të mira rregullatore, apo masa që nxisin ndryshimin e sjelljes. Humbja totale e produktivitetit, e lidhur me sëmundjet që vijnë nga ushqimi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, vlerësohet të kushtojë 95,2 miliardë dollarë amerikanë në vit, ndërsa kostoja vjetore e trajtimit të sëmundjeve ushqimore vlerësohet në 15 miliardë dollarë.

Shpenzimet e tjera, megjithëse janë më të vështira për të përcaktuar sasinë, përfshijnë humbjet e shitjeve të fermave dhe të kompanive, të ardhurat e ulëta tregtare, pasojat shëndetësore të shmangies së konsumit të ushqimeve të prishura ende të pasura me lëndë ushqyese si dhe barrën mjedisore të mbeturinave ushqimore. “Siguria e ushqimit merr vëmendje relativisht të vogël politike dhe nuk ka burime të mjaftueshme.

Veprimi normalisht është reagues ndaj shpërthimeve të mëdha të sëmundjeve me origjinë ushqimore ose ndërprerjeve tregtare “, thotë Juergen Voegele, Drejtor i Përgjithshëm i Praktikës Globale të Ushqimit dhe Bujqësisë në Bankën Botërore. “Duke u përqëndruar më mirë në sigurinë e ushqimit, vendet mund ta forcojnë konkurrencën e fermerëve të tyre dhe industrinë ushqimore dhe të zhvillojnë kapitalin e tyre njerëzor. Në fund të fundit, ushqimi i sigurt është thelbësor për të ushqyer një fuqi punëtore të shëndetshme, të arsimuar dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndryshimet e shpejta demografike dhe dietike, kontribuojnë në ekspozimin më të gjerë të popullsisë në rreziqet që burojnë nga ushqimi, duke u përhapur edhe më tej nëse nuk ka aftësi mbizotëruese për të menaxhuar rreziqet e sigurisë ushqimore.

Studimi tregon se hendeku është më i theksuar “në mes të paketës”, domethënë midis vendeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta dhe ofron rekomandime të synuara për t’i adresuar këto probleme.

“Qeveritë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, jo vetëm duhet të investojnë më shumë në sigurinë e ushqimit, por edhe të investojnë më mirë”, thotë Steven Jaffee, Ekonomist i Bujqësisë në Bankën Botërore dhe bashkëautor studimi. “Kjo do të thotë të investosh në njohuritë themelore, burimet njerëzore dhe infrastrukturën; realizimi i sinergjive midis investimeve në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit dhe duke përdorur investimet publike për të nxitur investimet private.

Studimi gjithashtu mbështet një ndryshim në qasjet ndaj rregullimit të sigurisë ushqimore. Qasja tradicionale përqëndrohet në zbatimin e pajtueshmërisë rregullatore, përmes testimit të produkteve dhe inspektimeve të objekteve ushqimore, si dhe aplikimit të ndëshkimeve ligjore dhe financiare për shkelje. Theksi kryesor është i nevojshëm të vihet në sigurimin e informacionit dhe burimeve të tjera për të motivuar dhe fuqizuar operatorët e sektorit të ushqimit për t’u pajtuar me rregulloren e sigurisë në këtë drejtim.

“Rezultatet e rregullimit duhet të maten në aspektin e ndërmarrjeve të pajtueshme, konsumatorëve të sigurt dhe rezultateve të sigurisë ushqimore, sesa mbi bazën e numrit të gjobave apo mbylljeve të biznesit”, thotë Jaffee.

 

1364 ankesa nga konsumatorët

Konsumatorët janë ndërgjegjësuar sa i përket rrezikut ushqimor, duke u ankuar për rastet e konstatuara. Drejtuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa pasqyron të dhënat e plota dhe shqetësimet konkrete të konsumatorëve në këtë aspekt.

Në raportin vjetor të qendrës së ankesave për vitin 2017 janë regjistruar në total 1364 ankesa, të kategorizuara sipas problematikës si më poshtë: mungesë informacioni për produktet ushqimore 132 raste; mungese etikete 67 raste; imitacion etikete 14 ankesa; intoksikacion (helmim ushqimor) 24 raste; tregtim produktesh në mënyrë informale 252 raste; blerje produktesh të skaduara 41 raste; spekulim me çmimet e deklaruara 237 ankesa; sjellje jo etike 33 raste; mashtrim me ofertat dhe reklamat 364 ankesa; mashtrim me medikamentet 98 ankesa; mashtrim me produktet parfumeri dhe kozmetike 102 ankesa.

Sipas z.Stafa, ankesat lidhur me cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve janë dërguar dhe adresuar në institucionin e AKU-së. “Prej 5 muajsh zgjidhja e ankesave arrin 73% të rasteve, konkretisht, me vendosje gjobe 41 raste, bllokim aktiviteti i përkohshëm 64 raste, ndjekje penale, 2 raste”, thekson ai.

Produktet bujqësore që na rrezikojnë 

Mungesa e standadeve të sigurisë, një sistem i cunguar gjurmueshmërie, kontrollet primitive në tregje dhe agrobiznese si dhe mungesa e certifikatave, janë disa nga faktorët që sjellin mungesë sigurie ushqimore, deri në rrezikshmëri shëndetësore nga produkte të caktuara. Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku bën një analizë të detajuar të problematikave që has vendi ynë dhe konsumatori në këtë drejtim si dhe tregon piketat, mbi të cilat duhet ecur për të garantuar një sistem që mirëfunksionon.

Në Shqipëri plotësimi i standardeve të sigurisë ushqimore mbetet një problem. Produktet tona ushqimore për disa aktivitete bujqësore plotësojnë standardet minimale të kërkuara nga legjislacioni ynë në fuqi. Shqipëria në lidhje me legjislacionin ka plotësuar kushtet kryesore të vendosura nga BE-ja. Sidoqoftë, risk në sigurinë ushqimore shfaq i gjithë zinxhiri blegtoral që lidhet me prodhimin e mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tyre. Për këtë arsye, Shqipëria produktet e zinxhirit blegtoral nuk i ka akoma të mundësuara t’i tregtojë në vendet e BE-së. Pavarësisht se në vitet e fundit janë kryer investime të një teknologjie të lartë në përpunimin e qumështit, produktet e këtij sektori kanë barriera për t’u eksportuar në vendet anëtare të BE-së. Gjurmueshmëria e produktit me origjinë shtazore është pengesa e vetme për eksportet shqiptare,” thotë ai.

Sipas tij, strategjia e BE-së për sigurinë e ushqimit bazohet në: rregullat që kanë të bëjnë me sigurinë e produkteve të destinuara për konsumim njerëzor; këshillat shkencore të pavarura dhe në dispozicion publik; masat mbrojtëse; si dhe e drejta e konsumatorit të bëjë zgjedhjen e vet duke qenë plotësisht i informuar.

Në Shqipëri sot ekzistojnë rreth 300 njësi përpunimi qumështi të cilat për vetë statusin e tyre të regjistrimit në QKB si biznes i vogël sezonal, nuk i kërkohet pajisja me leje prodhimi ose siç quhet, QKL prodhimi. Ai mendon se ky interpretim ligjor duhet të reflektohet me akte nënligjore pasi kemi të bëjmë me prodhim ushqimor, pavarësisht statusit të biznesit. Baxhot e qumështit të cilat operojnë pa licencë prodhimi, pa certifikime të standardeve minimale kombëtare, hedhin në treg një volum prodhimi që shkon deri në 15,000 tonë nënprodukte të qumështit.

Kërkesat e BE

Ligji shqiptar për aktivitetin e përpunimit të produkteve bujqësore përcakton si detyrim ligjor plotësimin e standardeve minimale kombëtare, që lidhet direkt me plotësimin e sistemit të menaxhimit të sigurisë ushqimore HAÇP. Por a është ky standart i mjaftueshëm dhe kompetitiv për këtë sektor ? Unë do të thoja që nuk është i mjaftueshëm. Sot për të penetruar në tregun evropian kërkohen certifikime me standardet më të larta të sigurisë ushqimore si psh. ISO9001, ISO22000 etj.

Plotësimi i këtij standardi kërkon një sistem gjurmueshmërie shumë të lartë. Ndërkohë që kemi një pasqyrë ndryshe me produktet bujqësore, të cilat nuk e kanë të mirëaplikuar sistemin e gjurmueshmërisë. Kjo lidhet dhe me faktin që fermerët vendas nuk mbajnë të dhëna mbi shërbimet agroteknike dhe operacionet që ndjekin në fermë, nuk kanë ndërtuar markat e tyre që lidhen me një sërë kërkesash të detyrueshme. Gjurmueshmëria në fermë nuk mund të mbahet dhe kontrollohet me blloqe shënimesh.

Ajo kërkon programe kumpjuterike përkatëse të ndërtuara dhe të përcaktuara nga veprimi i ligjit të ushqimit. Kjo është arsyeja që produktet bujqësore nuk penetrojnë në tregjet perëndimore, aty ku produkti merr një vlerë të shtuar. Përmes politikës së vet zhvillimore, BE-ja i ndihmon vendet kandidate si dhe shtetet në zhvillim të shesin prodhimet e tyre bujqësore në BE. Çdo vit, BE-ja në mënyrë tipike importon rreth 60 miliardë euro në vlerë të produkteve bujqësore nga vendet në zhvillim.

Ndërkohë, kushti vendimtar për të tregtuar produktet bujqësore në vendet e BE-së mbetet plotësimi i standardeve të sigurisë ushqimore. Sot për të eksportuar në vendet e BE-së është e detyrueshme që fermerët të plotësojnë dhe të certifikohen me standardin “GlobalGAP“. Kjo do t’i mundësojë të lidhin kontrata të sigurta me rrjetet e supermarketeve duke përfituar një marzh të lartë fitimi.

 

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!