Ministeriali i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor ka nisur punimet të cilat nuk kanë qenë dhe aq të qeta.
Behxhet Pacolli, ministri i Jashtëm i Kosovës, kërkoi një ndryshim të vogël në deklaratën e përbashkët të ministrave të WB6.
Ky propozim nuk është pritur aq mirë nga ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Igor Crnadak dhe përfaqësuesi serb në takim.
Sipas Ministrisë së Jashtme, kërkesa e Pacollit për respekt të ndërsjellë për Kosovën në zbatimin e marrëveshjes CEFTA është mbështetur nga homologu shqiptar, Ditmir Bushati. Mësohet se ministri i Jashtëm shqiptar ka kërkuar një vendimmarrje pozitive për kërkesën e Pacollit, duke bërë thirrje për kompromis.
Debati ka vijuar dhe më tej, teksa ministri i Jashtëm shqiptar ka theksuar se nëse Bosnja dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë dhe për Shqipërinë dhe Kosovën është shumë e lehtë të kthehen tek qëndrimet kombëtare, por kjo nuk i shërben kompromisit.
“Nëse për Serbinë e Bosnjen përbën problem futja e respektit të ndërsjellë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë Shqipëria qëndron në krah të Kosovës dhe nuk pajtohet me asnjë deklaratë tjetër”, mësohet të ketë thënë Bushati sipas Ministrisë së Jashtme.
Takimi i Budvës së WB6 i përfundoi punimet duke dalë me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus pas kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës për të pranuar ndryshimet e propozuara nga Kosova.