MENU
klinika

Opinion

Pësimi i kthyer në mësim: ideja e gabuar mbi diplomacinë

24.11.2018 - 19:37

Nga Salih Mehmeti

Mospranimi i Kosovës në Interpol e tejkalon dimensionin thjeshtësisht teknik të çështjes. Në dritën e një kriticizimi të gjithshtrirë për këtë dështim, të zëruar sa nga partnerët e koalicionit qeverisës po aq edhe nga opozita, ndërkallet një debat i munguar për fizionominë e politikës së jashtme të Kosovës dhe perceptimet tona për diplomacinë e dytë shqiptare.

Studiuesi kanadez Robert C. Austin ka meritën se i trajton Nolin dhe Zogun, dy figurat që shquan «roaring twenties» të jetës politike shqiptare, përtej bardhezive ideologjike e postideologjike. Ata mund të kuptohen veçse në një lidhje dialektike: në artin etatist, Noli ishte pjesa e munguar e Zogut, dhe Zogu ishte pjesa e munguar e Nolit.

Idealizimi i qashtër nolian, i ndajmbathur edhe me një besim të tejskajmë për moralitetin e rendit të ri pas Versajës, përfytyronte një Lidhje të Kombeve që ishte e ngeshme të merrej vetëm pas problemeve shqiptare.

Sado e rudimentuar, qasja e Zogut u tregua e fituar për një miriadë arsyesh, por mbi të gjitha se ai përshfaqi një dhunti në pragmatizëm e fleksibilitet. Duke mos i bishtnuar ekzigjencave perëndimore, që kërkonin zgjidhjen e kontestit për sinorët e vendit me Jugosllavinë dhe Greqinë, Zogu arriti të subjektivizonte Shqipërinë. Morali i dihotomisë Noli versus Zogu është tejet udhëzues edhe në ditët tona.

 

Marrëdhëniet e ndërliqshme ndërkombëtare janë përtej përfytyrimit vulgar kolektiv (ku dikur në këngët tona historike «Allemanja», «Franca» e «Inglitera» paraqiteshin të antropormofizuara e dialogu me to, qoftë i Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit a Luigj Gurakuqit, paraqitej krejt i personalizuar). Ato janë më të ndërlikuara e më pavetësore sesa që përpiqet të bëjë një kritizer nga komoditeti i të qenurit në opozitë e pa peshën e përgjegjësisë së vendimmarrjes.

Lavjerrësi i interesave është në lëvizje të pandërprerë dhe kapacitetet e Serbisë dhe Kosovës dallojnë shënueshëm. Afërmendsh që një votim, si ai në Interpol, ka në ekuacion një shumësi rrethanash ku «siguria» është thjesht relative. Aty nuk ka as premtime të qëndrueshme dhe as aleanca «huntingontiane».

Dhe kur një votim politizohet, sa nga Rusia poaq edhe nga Serbia, një epilog i tillë nuk duhet parë si befasues. Është një situatë ku edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në gjendje të shterëzohen në negociata për secilën votë, pazaritje që do të kërkonte prej shteteve të caktuara diçka në këmbim.

Zaten, diatribat e mezipërmbajtshme që hidhen në adresë të ministrit aktual të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, në pjesën më të madhe, vazhdojnë të jenë goditje nën brez. Si do të kishte vepruar në një rast analog nëse në pozitën e të parit të diplomacisë do të ishte dikush nga Vetëvendosja, nga LDK apo edhe nga AAK e PDK? Duke lënë mënjanë rezervat e mia për politikën diplomatike të Kosovës, kriticizimi i sotëm duhet të kalojë batakun e shigjetimeve ad hominem.

Në grupin lobues pati edhe përfaqësues të opozitës, por tani ata nuk duan ta ndajnë përgjegjësinë njësoj. Një domen i vështirë si diplomacia ndërkombëtare, në rrethanat kur është e vështirë të mbahet vëmendja ndërkombëtare për Kosovën halleshumë, kërkon një person që e ka aurën e reputacionit me lidhje të nduarnduarta me shtetet e tjera, botën e biznesit.

Profili i Pacollit dhe «entrepreneurship spirit» i tij duhet ndjesuar si heshtë shpuese e diplomacisë shqiptare të Kosovës në përballjen aq të pabarabartë, si të Davidit me Goliatin, me diplomacinë serbe. 

Para ngarendjes për të siguruar nota verbale të filan shtetit, është një betejë më jetike: «marketizimi» i vendit duke i sfiduar dhëmbë për dhëmbë ato stereotipe që e shënjuan Kosovën gjatë viteve të fundit (mjedis i polarizuar politik, barrikadime, skena me gaz lotsjellës në Kuvend e me molotova jashtë tij).

Dhe vjen një moment që kritizerët bëhen krejt disonantë në atë që thonë: kur vargiseshin njohje pas njohje, ata thoshin se nuk është i nevojshëm sforcimi vetën në numra; në kohën kur sigurimi i njohjeve bëhet i ngalët, atëherë po të njëjtit hakërrehen për mungesë numrash (sic!). Duke iu rikthyer «gjeografisë» së vendeve që votuan për, kundër dhe atyre që abstenuan, vlen të shkoqiten dy vërejtje thelbësore:

1) Pati vende që e kanë njohur Kosovën, por që në momentin kritik votuan kundër ose edhe abstenuan.

2) Pati vende që nuk e kanë njohur Kosovën, por që në momentin vendimtar votuan në mbështetje të pranimit në Interpol.

Ajo çka nuk kuptohet është se një njohje e dhënë për Kosovën nga një aksh vend, nuk nënkupton që diplomacia e tij do t’i vë «embargo» Serbisë, duke votuar kundër saj në çdo instancë.

Në këtë dritë duhet parë edhe vota abstenuese e Hungarisë: Budapesti ka qenë ndër vendet e para që njohën mëvetësinë e Kosovës (njohje që u formalizua përmes notës verbale më 19 mars 2008). Megjithë marrëdhëniet e mira e plot oborrësi, vota hungareze nuk ishte në mesin e atyre vendeve që pritej të mbështesnin Kosovën.

Është kjo një rrethanë që i tejkalon mundësitë e çfarëdo lobimi: në prizmin hungarez, Serbia është prej fqinjëve më të rëndësishëm, më të cilin urëzohen me bashkëpunime të gjithëfarsojta, prandaj abstenimi hungarez ka sens në rrethanshmërinë e vet.

Në anën tjetër, Pacollit, të fshikulluar nga të gjithë, nuk iu dha haku për ato vota të siguruara falë profilit të tij: bie fjala, vende të tilla si Kazakistani e Nigeria, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, votuan për pranimin e vendit tonë në Interpol.

Një betejë e fituar në terma cilësorë, por e humbur në ata sasiorë! Nga prizmi i sotëm, disi disfatist, këto vota mund të ngjajnë si hiçgjë, por Pacollit nuk duhet t’i shpërnjihet përçapja e vazhdueshme në subjektivizmin e Kosovës, në një kohë kur problemet tona nuk prioritarizohen askund në listën e agjendave të fuqive botërore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Anëtarësimi i Kosovës në organizata

Kosova afër anëtarësimit në Interpol