Sekretari i Shtetit i SHBA-së Mike Pompeo tha se “Ukraina nuk ka mik më të madh se Shtetet e Bashkuara” në kundërshtimin e aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë. Ai foli të premten në Uashington pas takimit me ministrin e jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin.
Pompeo tha se Uashingtoni do të vazhdojë të ndëshkojë Rusinë derisa të kthejë kontrollin e Krimesë në Ukrainë.
Dy politikanët u takuan në 10 vjetorin e shpalljes së një partneriteti strategjik midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Pompeo tha se ata kanë bërë përparim në kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë, në forcimin e sundimit të ligjit, çështjeve humanitare, dhe në çështjet e sigurisë ekonomike dhe të energjisë.
Në një intervistë me shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës të premten, Klimkin parashikoi se Rusia do të përpiqej maksimalisht për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Ukrainës vitin e ardhshëm. Ai akuzoi Rusinë për përhapjen e propagandës dhe dezinformimit. “Është një luftë konvencionale dhe jokonvencionale kundër Ukrainës,” tha ai.
Klimkin gjithashtu shprehu shqetësim rreth agresionit rus në Detin Azov, duke thënë se ishte shumë e rëndësishme të ruhej paqja atje. “Ne kemi nevojë për mbështetjen e ndërkombëtarëve për të sjellë paqe në këtë rajon të rëndësishëm,” tha ai.
Klimkin gjithashtu i tha Zërit të Amerikës se Ukraina ishte e hapur për çdo lloj misioni ndërkombëtar për të ndihmuar rajonin Donbas.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina do të bashkëpunojnë për ndalimin e ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2, tha sekretari i shtetit Mike Pompeo.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndaluar projektin Nord Stream 2 që prek sigurinë ekonomike dhe strategjike të Ukrainës”, tha Pompeo të premten.
Nord Stream 2 është një ndërmarrje e përbashkët e Gazprom dhe pesë kompanive evropiane. Synon të japë 55 miliardë metra kub gaz natyror rus për çdo vit në Bashkimin Europian përgjatë Detit Baltik në Gjermani. Projekti pritet të vihet në veprim deri në fund të vitit 2019. Tubacioni është mirëpritur nga disa vende në Evropë dhe është kundërshtuar nga disa të tjerë.
Shtetet e Bashkuara, duke kërkuar të promovojnë gazin natyror të lëngshëm në tregun evropian, tashmë kanë bërë një sërë përpjekjesh për të penguar zbatimin e projektit dhe madje kanë përfshirë një dispozitë për të luftuar ndërtimin e tubacionit.
Më parë, ambasadori i SHBA-së në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, tha se Uashingtoni ka instrumente për të ngadalësuar ose madje edhe për të ndaluar Nord Stream 2.