MENU
klinika

Gjiknuri hap derën

PPP-të edhe në Porte?

27.11.2018 - 15:48

Ndërkohë që debati për PPP-të është më i ndezur se kurrë, qeveria synon t’u hapë rrugë këtyre projekteve edhe për ndërtimin e porteve. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka inkurajuar investimet private në infrastrukturën portuale, për shkak të mundësive të kufizuara  që ka buxheti i shtetit në këtë drejtim.

Pavarësisht se qeveria ka parashikuar që prej datës 1 korrik 2019 të ndalohen investimet përmes ofertave të pakërkuara, duket se hapësira kohore e ngelur do të vazhdojë të shfrytëzohet për shtyrdhur më tej mekanizmin e PPP-ve.

Gjiknuri risolli në vëmendje edhe projektin për ndërtimin e Portit të Karpenit. Projekti “Morgan” parashikonte ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm dhe një centrali për prodhim energjie.

Ky projekt pretendonte një investim në total prej 5 miliardë USD për një periudhë 5-10 vjet. Porti propozohej të ndërtohej në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 m.

Për realizimin e qëllimit të këtij porti, thuhej se ishte e domosdoshme të ndërtohej edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit ishte parashikuar me një shtrirje prej 1.700 hektarësh.

Ky projekt, i paraqitur që dy vjet më parë, dukej se ishte harruar përfundimisht, megjithatë ministri gjiknuri u shpreh javën e kaluar se negociatat janë në faza të avancuara, por është ende herët për të folur për mbylljen e suksesshme të tyre.