MENU
klinika

7 mln euro importe në nëntor

Energjia, mbaron ‘begatia’ e lumenjve

26.11.2018 - 09:20

Vjeshta e thatë ka bërë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të nisë importin energjisë elektrike. Vetëm në gjysmën e parë të nëntorit, kompania ka shpenzuar shtatë milionë euro për importe të energjisë elektrike, për një total prej 76 GWh energji të blerë.

Mungesa e rreshjeve të shiut gjatë muajve të fundit ka ulur prodhimin e energjisë në hidroecentralet e kaskadës së Drinit. Korporata Elektorenergjetike Shqiptare raporton edhe një ulje të ndjeshme të rezervës energjetike në raport me muajt e mëparshëm. Sipas të dhënave zyrtare aktualisht ky tregues është rreth 420 GWh, ndërkohë që në muajin gusht ishte 986 GWh.

Muajt e fundit e kanë përmbysur gjendjen e prodhimit të energjisë. Pjesa e parë e vitit ishte mjaft e begatë, falë prurjeve të mëdha të lumenjve. Prodhimi i lartë i energjisë elektrike ishte edhe shtysa kryesore e rritjes së lartë ekonomike në gjysmën e parë të vitit. Në tremujorin e dytë, dega e prodhimit të energjisë elektrike u rrit me 67.5%.

Të ardhurat e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për gjysmën e parë të vitit arritën në 10.9 miliardë lekë ose rreth 87 milionë euro, gati 50% më shumë krahasuar me të ardhurat totale të regjistruara gjatë vitit 2017.

Megjithatë, varësia 100% e energjisë eletkrike nga burimet hidrike është një nga problemet kryesore që ka sistemi elektroenergjitik. Për këtë qëllim, po tentohet diversifikimi i burimeve të prodhimit. Këtë muaj, qeveria shpalli fituesin e tenderit për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Akërni të Vlorës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN