MENU

Nga The Economist

Pse Amerika nuk po e ‘bind’ dot Korenë e Veriut?

19.11.2018 - 17:28

“Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”, ka thënë presidenti Donald Trump në qershor. Trump sapo ishte kthyer nga një takim në Singapor me Kim Jong Un, diktatorin e Koresë së Veriut. Gjatë takimit, ai deklaroi, Kim pranoi të heqë dorë nga programi i tij bërthamor në këmbim të garancive amerikane për sigurinë dhe, lehtësim nga sanksionet. Por më shumë se pesë muaj më vonë, kërcënimi është ende “i gjallë”.

Raportet tregojnë se Kim po e zgjeron programin e tij në vend që të heqë dorë prej tij. Më 16 nëntor, Koreja e Veriut njoftoi se ushtria kishte testuar me sukses një “armë taktike ultramoderne” të papërcaktuar, referenca e parë publike për një test të armëve që nga nëntori i vitit 2017.

Në tekstin e nënshkruar në qershor, të dy vendet pajtohen të ndërtojnë një regjim të qëndrueshëm ndërsa Koreja e Veriut premton se do të punojë për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean. Amerika ka këmbëngulur që çdo koncesion që ofron duhet të paraprihet nga lëvizjet e qarta koreane, të tilla si dorëzimi i një liste të plotë të objekteve bërthamore dhe lejimi i inspektimeve të vendeve që janë gjoja të shkatërruara.

Por përpara se të ndërmarrin hapa konkretë, Koreja kërkon që Amerika për shembull të heqë disa sanksione. Bisedimet pasuese nuk kanë arritur të mbushin këtë hendek. Më parë gjatë këtij muaji, një takim mes Mike Pompeo, sekretarit amerikan të shtetit dhe Kim Yong Chol, kryenegociatorit të Koresë së Veriut, u anullua në minutën e fundit.

Kim mund të jetë gati të heqë dorë nga armët bërthamore por thjesht mund të kërkojë më shumë garanci përpara se të fillojë procesi. Në fund të fundit, Koreja e Veriut ka një histori të tërë me raste ku bën premtime e më pas nuk i mban ato.

Tani për tani, procesi ka mbetur në  vend numëro. Asnjë marrëveshje e kontrollit të armëve nuk do të bëhet nëse zoti Kim nuk dorëzon një listë të objekteve të tij bërthamore, por nuk ka shenja se ai do ta bëjë këtë.

Në përgjigje, Amerika është zotuar të mos i heqë sanksionet dhe të vazhdojë të bëjë presion. Më 15 nëntor, Mike Pence, zëvendëspresidenti, tha se një takim i dytë midis Trump dhe Kim mund të bëhet edhe pa listën e shumë-diskutuar për pajisjet bërthamore nga Koreja e Veriut.

Bisedimet mes vendeve mund të vazhdojnë, por nuk ka gjasa që do t’i japin fund programit bërthamor.

The Economist