MENU
klinika

1960-1980

Pse e shkelte syrin në mbledhje drejtuesi kryesor i PPSH-së?

30.11.2018 - 20:00

Ndodh shpesh që një mesazh i transmetuar përmes gjuhës së folur të sfumohet, të neutralizohet ose të hidhet poshtë nga një mesazh i kundërt që përcjell një simbol kulturor i artikuluar nga folësi.

Në kulturën tradicionale shqiptare dhte të ditëve tona, shkalla e korrektësisë që kërkohet për zbatimin e një urdhëri ose vendimi që prek interesa të rëndësishëm të një grupimi shoqëror “lexohet” simbolikisht në dinamikën e ndryshimeve të mimikës së fytyrës së urdhërdhënësit.

Nëse personi është serioz ose fytyrëngrysur kur kumton urdhrin, kjo do të thotë që ai duhet zbatuar me korrektësi. Buzëqeshja ose nënqeshja ironike në fytyrën e urdhërdhënësit simbolikisht i licenson urdhërzbatuesit të zbatojë urdhrin sipas interesave vetjake.

Me një shkelje të syrit nëpunësi ose personi i autorizuar e zhvlerëson krejtësisht urdhrin që kumton, u sugjeron zbatuesve ta neglizhojnë tërësisht zbatimin e një urdhëri të tillë.

Në mjedise të ndryshme të shoqërisë shqiptare kanë qenë dhe janë të përhapura opinionet se “një shkelje syri zhvlerëson çdo formë serioziteti edhe në bisedat e burrave më seriozë” apo “një shkelje syri e kthen në shaka edhe fjalën më të rëndë” se “sa më serioz të jetë burri, aq më shumë çorodit shkelja e syrit të tij”.

Një nga drejtuesit kryesorë të Parrtisë së Punës të Shqipërisë përgjatë viteve 1960-1980, shpesh në mbledhje me pjesmarrje të kufizuar, për të krijuar një atmosferë komunikimi sa më të lirshme, shkelte syrin në shenjë humori.

Ndoshta, më shumë se çdo tjetër, një model sjellje i tillë ndikonte që fjala e autoriteti i tij të mos merrnin asnjëherë atë peshë të rëndë që i korrespondonte statusit politik të udhëheqësit të dorës së parë.

Çdo kulturë ka marrëdhëniet e veta ndërmjet elementëve të caktuara në ndryshimin e mimikës së fytyrës dhe të ndjenjave që ata përcjellin simbolikisht. Në shumicën e kulturave pamja e ngrysur e fytyrës dëshmon simbolikisht se personi përjeton mërzi e nervozizëm.

Në të kundërt, buëqeshja e japonezëve është një tregues shumë i rëndësishëm i konstruksonit psikokulturor të shoqërisë japoneze.

Një shkrimtar grek që e ka njohur shumë mirë kulturën japoneze ka shkruar se “Zemra e Japonisë është lulja e qershisë së malit që kundërmon në dritën e diellit, gra të gjithënënshtruara, thellësi të menduari pa fjalë dhe burra që vdesin duke buzëqeshur.

Buzëqeshja është e stampuar pasivisht në fytyrat e japonezëve në të gjithë linjat e ndërveprimit të tyre, madje edhe kur përjetojnë dhimbje trupore ose fatkeqësi të rënda familjare”.

Normat e kulturës tradicionale i udhëzojnë japonezët të buzëqesin kur komunikojnë me njëri-tjetrin edhe nëse përjetojnë gjendjen shpirtërore më të rëndë, më të traumatizuar me qëllim që të mos e induktojnë bashkëkomunikuesin me emocione negative.

Mjaft shkrimtarë, udhëpërshkrues dhe studiues të kulturës japoneze e kanë karakteriuar buzëqeshjen tradicionale japoneze të mpiksur në buzë si silizimin më të lartë të mirësjelljes.

Edhe në kulturën tradicionale shqiptare, veçanërisht burrave u kërkohej së paku në disa situate të caktuara të mos ua shprehnin të tjerëve brengën, hidhërimin ose siç thuhej në gjuhën e përditshme “zinë që kishin në shpirt”.

Momentet dhe vendet ku burrat ishin të detyruar të ndryshnin dhimbjen brenda vetes ishin kuvendet e burrave dhe sidomos ceremonitë e mikpritjes. Mikpriitësi, edhe po të kishte pasur fatkeqësi të rëndë familjare nuk duhet t‘ja thoshte mikut, të cilin duhet ta priste në çdo rrethanë me buzën e qeshur.

“Mirëseardhja më e mirë për një mik është fytyra e qeshur”.

Në shoqërinë tradicionale shqiptare kanë qenë shumë të përhapura mendësitë “Nuk të qesh sofra e mikritjes po nuk të qeshi fytyra” apo “Me fyyrë të çelur mbulon edhe fukarallëkun”.

Kësisoj, mjaft norma të kulturës tradicionale shqiptare u impononin shqiptarëve të vetëpërmbaheshin ose të paktën të mos shprehnin gjendjen shpirtërore të trazuar.

Edhe në këtë aspekt, kultura tradicionale e popullit shqiptar përafron me kulturën tradiconale japoneze, e cila i udhëzonte anëtarët e saj të mbanin zemrën e patundur përballë lumturisë dhe fatkeqësië.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!