Kukësi do të ketë gati një stadium të ri në vitin 2019. Një premtim i dhënë nga Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë gjatë vizitës në Kukës, por që i shtohet edhe FSHF, e cila vitet e fundit ka realizuar disa stadiume në vendin tonë, më të fundit të hënën, që u inagurua në Librazhd.
Investimi që në total për “Zeqir Ymeri” do të shkojë diçka më tepër se 5 milionë euro, është në këto momente në fazë projektimi dhe tenderimi për firmën që do ta ndërtojë dhe pak a shumë bëhet fjalë për një investim si ai i “Loro Boriçit”.
Stadiumi i ri i Kukësit është projektuar që të ndërtohet me 6500 vende dhe në të do të luhen ndeshje deri në fazën e grupeve të Kupave të Europës. Pritet që punimet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa bëhet e ditur se ato mund të kenë një afat deri në përfundim 9 muaj.
Ky stadium do t’i kalojë në menaxhim klubit dhe Bashkisë së Kukësit, ndërkohë që në kontratën që do të hartohet do të parashikohet në pikat e saj që në këtë impiant të luajnë jo vetëm kombëtaret e moshave, por edhe ekipi i të rriturve kuqezi.