MENU

Detajet

Rama sot tjetër propozim Metës për Sandër Lleshin

09.11.2018 - 10:05

Kryeministri Edi Rama do t’i dërgojë sërish Presidentit të Republikës Ilir Meta propozimin për emërimin e Sandër Lleshi ministër i Brendshëm.

Rama tha se propozimin e tij do ta shoqërojë “me një relacion shpjegues të mirë argumentuar, bazuar në procedurë dhe në traditën e krijuar nga presidenti, për hir të së vërtetës, që në rastin e negociatave më Greqinë për plotfuqishmërinë, ka dërguar shkresa shumë serioze dhe shumë të detajuara që e kanë ndihmuar shumë procesin”.

“Në këtë traditë, do t’i çoj nesër presidentit një shkresë shpjeguese të detajuar dhe do t’i japim presidentit mundësinë që të krijojë bindjen e plotë e të rifutemi në binarët e kushtetutës. Ky precedent nuk mund të krijohet dhe nuk ka pse të krijohet”, tha Rama.

rama-lleshi-konica.al
rama-lleshi-konica.al

Rama paralajmëroi gjithashtu se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet dhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të kësaj çështje. Ndonëse kjo Gjykatë aktualisht është jashtë funksionit, kryeministri tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë mund ta marrë në shqyrtim.

Mos dekretimi i Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm solli debate të shumta në politikë por Rama urdhëroi socialistët të mos e komentonin.

Kryeministri vendosi që t’ia besojë sërish drejtimin e ministrisë zotit Lleshi, por nga pozita e zëvendësministrit.