MENU
klinika

Deklarata e presidentit Erdogan

Rasti Khashoggi/ Turqia shpërndan regjistrimet

10.11.2018 - 14:44

Turqia i ka shpërndarë regjistrimet për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi me Arabinë Saudite, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, tha Presidenti Rexhep Tajip Erdogan të shtunën. 

Burimet turke kanë thënë më parë se autoritetet kanë një regjistrim audio që dokumenton vrasjen. Duke folur para nisjes së tij për në Francë, ku do të marrë pjesë në përkujtimet që shënojnë 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Erdogan tha se Arabia Saudite e di që vrasësi i Jamal Khashoggi është pjesë e grupit prej 15 personash që mbërritën në Turqi një ditë para vrasjes së 2 tetorit .

“Ne u dhamë kasetat, ua dhamë Arabisë Saudite, të Shteteve të Bashkuara, gjermanëve, francezëve dhe britanikëve, të gjithë atyre”, tha Erdogan.

Erdogan tha se mund të takojë Presidentin e SHBA Donald Trump në Paris gjatë vizitës. “Kur të shkojmë në Paris, do të përpiqemi të sigurojmë një mundësi për një takim dypalësh”, tha Erdogan.

Burimet thonë se policia turke përfundoi kërkimin për trupin e Khashoggi, por se hetimi penal për vrasjen e gazetarit saudit do të vazhdojë. 

Khashoggi, ishte një kolumnist i Uashington Post, kritik ndaj qeverisë saudite dhe princit Mohammed bin Salman, dhe dyshohet se u vra nga një ekip i oficerëve dhe zyrtarëve sauditë.

Arabia Saudite fillimisht u përpoq të mbulonte vrasjen duke insistuar që Khashoggi ishte larguar nga konsullata. Më pas ajo ndryshoi tregimin e saj, duke thënë se gazetari vdiq gjatë një zënke. Më vonë, Arabia Saudite pranoi se vrasja ishte e paramenduar.

Zyrtarët turq dhe sauditë kanë kryer inspektime të përbashkëta në konsullatë dhe, por Erdogan tha se disa zyrtarë sauditë ende po përpiqeshin të mbulonin krimin. “Ata e bënë këtë duke dërguar ekspertë kimikë për të fshehur prova” tha ai.

Kryeprokurori i Stambollit tha më 31 tetor se Khashoggi u vra sapo hyri në konsullatë dhe se trupi i tij u shpërbë. Arabia Saudite ka thënë se ka arrestuar 18 vetë dhe shkarkoi pesë zyrtarë të lartë qeveritarë, si pjesë e një hetimi për vrasjen e Khashoggi. Ankara ndërkohë kërkon ekstradimin e të dyshuarve.