MENU
klinika

Raporti i Kontrolli të Lartë të Shtetit

Reforma territoriale/ Bashkitë penalizohen, nuk kanë rritje buxheti

04.11.2018 - 19:42

Konkluzionet e auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për “funksionimin e bashkive në kuadër të reformës administrative-territoriale” tregojnë se me reformën e re territoriale bashkitë mbledhin më pak të ardhura dhe kësisoj ofrojnë më pak shërbime për qytetarët.

Me reformën e re territoriale bashkitë mbledhin më pak të ardhura dhe si rezultat ofrojnë më pak shërbime për qytetarët.

Reforma administrative-territoriale nuk ka përmbushur objektivat: legjislacioni i ri nuk zbatohet plotësisht, procesi i përthithjes së funksioneve të reja, punonjësve, aktiveve dhe rritja e cilësisë së shërbimeve nuk është arritur të realizohet me sukses. Në shumicën e bashkive rezulton nivel i ulët efektiviteti në mbledhjen e të ardhurave të veta dhe në përdorimin e fondeve në dispozicion”, thuhet në raport.

Buxheti
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në konkluzion se me decentralizimin fiskal, legjislacioni i ri nuk ka sjellë rritje të buxhetit të bashkive. “Niveli është pak a shumë i njëjti, pra, nga buxheti qendror alokohet jo më pak se 1 për qind e GDP-së që është niveli më i ulët rajonal. Bashkitë ushtrojnë kontroll vetëm në 50 për qind të buxhetit tyre”, thuhet në raport. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se, edhe pse me reformën e re territoriale janë rritur të ardhurat, ato vijnë për shkak të vjeljes së taksave nga Bashkia e Tiranës.

KLSH shprehet se Bashkia e Tiranës ka mbledhur të ardhura sa 60 bashkitë e tjera. “Sa u përket të ardhurave vendore, ndonëse në vitin 2017 janë regjistruar rreth 3.5 miliardë të ardhura më shumë, nga këto, rreth 2.2 miliardë i atribuohen mbledhjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë nga Bashkia Tiranë (819 leje ndërtimi).

Bashkia Tiranë ka mbledhur të ardhura sa 60 bashkitë e tjera të vendit, konkretisht, rreth 10 miliardë nga rreth 20 miliardë gjithsej në rang vendi. Kontribuimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë në rritjen e të ardhurave nuk reflekton një performancë të qëndrueshme, duke qenë se vetë kjo taksë është e luhatshme, por varet nga aktiviteti i sipërmarrjeve të ndërtimit. Së dyti, impakti që ka kjo taksë në buxhetin bashkiak tregon strukturën e brishtë të sistemit fiskal të bashkive”, thuhet në raport.

Investimet 
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se problem kritik janë edhe investimet publike të bashkive që përcaktohen në mënyrë selektive nga financimet e akorduara nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, fonde të cilat kanë munguar në disa bashki të vendit, si në Lezhë, Shkodër dhe Kamzë.

“Në vitin 2016, në 37 nga 61 bashkitë, investimet e financuara nga qeveria qendrore janë nga 1 deri në 17 herë më të larta se investimet e financuara nga vetë bashkitë. Bashkia Shkodër ka përfituar rreth 0.4% të shumës totale prej 13 miliardë lekë financime nga FZHR në vitin 2016 ose nga 22 projekte që ka aplikuar, ka përfituar vetëm 1 projekt, ndërsa Bashkia Kamzë gjatë 3 viteve të fundit s’ka përfituar asnjë projekt.

Veprimtaria e FZHR bie ndesh me parimet e Konventës Europiane të Autonomisë Vendore se “grandet për autoritetet lokale nuk duhet të jenë të paracaktuar, për financimin e projekteve specifike”, përcakton raporti.

Rekomandimet
Mbi auditin e zbatimit të reformës territoriale, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që, bazuar në problematikat e evidentuara, të shqyrtojë mundësitë për një riorganizim me ose pa ndryshim të kufijve ekzistues të njësive të vetëqeverisjes vendore, bazuar edhe në përcaktimet e nenit 86 të Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

Të shqyrtohet mundësia e rritjes së numrit të taksave që qeveria qendrore ndan me pushtetin vendor, me qëllim që të arrihet një stabilitet i sistemit të të ardhurave vendore. Kjo do të garantonte një autonomi financiare. Të bëhet një vlerësim i ri i shumës së fondit të pakushtëzuar dhe në veçanti të reformohet FZHR, me qëllim që fondet të mos akordohen përmes sistemit të konkurrimit, por të akordohen me anë të një formule të ngjashme me kriteret që përdoren për shpërndarjen e fondit të pakushtëzuar”, përcaktohet në raport.